Izraeli fajëson Iranin për sulmin ndaj një cisterne të naftës

Izraeli më 30 korrik fajësoi Iranin për sulmin ndaj një cisterne të naftës që menaxhohet nga Izraeli. Sulmi ndodhi në Oman, ku u vranë dy anëtarë të ekuipazhit – një britanik dhe një rumun.

- Advertisements -

Zodiac Maritime, me seli në Londër, por që është pjesë e Zodiac Grup, të miliarderit izraelit, Eyal Ofer tha se cisterna e naftës u sulmua në orët e vona të 29 korrikut. Kompania nuk dha më shumë detaje për natyrën e sulmit.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid fajësoi Iranin për sulmin, duke thënë se ka kërkuar nga Sekretari i Jashtëm britanik që të ketë një përgjigje më të ashpër për incidentin.

“Irani nuk është vetëm problem i Izraelit, por një eksportues i terrorizmit, i shkatërrimit dhe paqëndrueshmërisë që na dëmton të gjithë ne. Bota nuk duhet të qëndrojë e heshtur përballë terrorizmit iranian që gjithashtu dëmton lirinë e transportit”, tha Lapid përmes një deklarate.

Cisterna e sulmuar, Mercer Street ishte me flamur të Liberisë dhe në pronësi japoneze.

Ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Irani, që ka fajësuar Izraelin se qëndron prapa vrasjes së shkencëtarit kryesor bërthamor që ndodhi vitin e kaluar.

Po ashtu Irani e ka fajësuar Izraelin se qëndron prapa një serie të sulmeve në ndërtesat e tij bërthamore.

Televizoni Al Alam, që është rrjet televiziv i Qeverisë iraniane, ka cituar burime të paidentifikuara të kenë thënë se sulmi ishte përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar të Izraelit në një aeroport në Siri.

Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore ndaj caqeve iraniane në Siri, si pjesë e një lufte në hije ndaj dy rivalëve rajonalë. Në muajt e fundit, anijet e lidhura me këto dy shtete, kanë qenë cak i sulmeve teksa kanë lundruar në ujërat përreth Lindjes së Mesme.

Tensionet janë rritur në Gjirin Persik prej se Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet ndaj Iranit më 2018, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump e tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.

SHBA-ja, aleatja më e ngushtë e Izraelit, ka shprehur shqetësim dhe ka thënë se është duke e monitoruar situatën.

“Ne jemi duke punuar me partnerët tanë, me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të verifikuar faktet”, tha një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit.

Një zyrtar amerikan është cituar nga agjencitë Associated Press dhe Reuters të ketë thënë se ende nuk dihet se kush e ka kryer sulmin, por me gjasë sulmi është kryer me dron.

Operacionet për Tregti Detare në Mbretërinë e Bashkuar, që ofron informacione për sigurinë detare, thanë se sulmi nuk ishte pirateri, duke shtuar se janë duke kryer hetime për këtë rast.

Ndërkaq, në deklaratën e Zodic Matitime është thënë se në kohën e sulmin, cisterna e naftës po udhëtonte nga Dar es Salaam për në Fujairah, por nuk kishte ngarkesë me vete.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Omanit tha se sulmi ka ndodhur jashtë ujërave territoriale të këtij shteti.

Zodiac Maritime ka thënë se cisterna e naftës është përsëri nën kontrollin e ekuipazhit të saj dhe se është duke shkuar drejt një “lokacioni të sigurt nën përcjelljen e Shteteve të Bashkuara”.

LEXO EDHE:

Back to top button