Izraeli “kundër” zgjidhjes mes dy shteteve

Izraeli "kundër" zgjidhjes mes dy shteteve

Gazetare: Xhesika Sallahi

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përsëritur thirrjen për zgjidhje me dy shtete gjatë samitit në Kampala, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyaju e ka refuzuar sërish mundësinë e një shteti sovran palestinez. Sipas Guterresit, mohimi i zgjidhjes me dy shtete po zgjat konfliktin, që është kthyer në kërcënim global për paqen dhe sigurinë. Ai i ka përsëritur gjithashtu thirrjet për armëpushim të menjëhershëm në betejën në mes të Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

“Në Gaza, operacionet ushtarake të Izraelit kanë përhapur shkatërrime masive dhe kanë vrarë civilë në një shkallë të paparë gjatë kohës sime si Sekretar i Përgjithshëm. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar ndezjen e konflikteve në të gjithë rajonin dhe kjo fillon me një armëpushim humanitar të menjëhershëm për të lehtësuar vuajtjet në Gaza, për të lejuar ndihmën humanitare për të arritur këdo në nevojë dhe për të lehtësuar lirimin e pengjeve, të cilat duhet të jenë të menjëhershme dhe të pakushtëzuara. Refuzimi i përsëritur dje për të pranuar zgjidhjet me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët është krejtësisht i papranueshëm. Mohimi i së drejtës për shtet formim për popullin palestinez do të zgjaste pafundësisht një konflikt që është bërë një kërcënim i madh për paqen dhe sigurinë globale, do të përkeqësonte polarizimin dhe do të nxiste ekstremistët kudo”, tha Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Për dallim prej Guterresit, Netanyahu e mohon në vazhdimësi idenë e një shteti palestinez, pasi të përfundojë konflikti në Gazë. Ai u shpreh se nuk do të bëj kompromis në kontrollin e sigurisë mbi gjithë zonën në perëndim të Jordanisë. Netanyahu përsëriti qëndrimin që çdo zgjidhje në të ardhmen e afërt duhet të përfshijë kontrollin ushtarak izraelit mbi gjithë Bregun Perëndimor.

Ndërsa sulmet vazhdojnë në konfliktin Izrael- Hamas, banorët në Gaza luftojnë për ushqim, furnizime, higjienë e ndihma të tjera humanitare. Sulmi ajror, tokësor dhe detar i Izraelit në Gaza ka vrarë afro 25,000 palestinezë, dy të tretat e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e qeverisur nga Hamasi./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button