“Izraeli tashmë e ka ndaluar zyrtarisht dërgimin e ndihmave në veri të Gazës”
“Izraeli tashmë e ka ndaluar zyrtarisht dërgimin e ndihmave në veri të Gazës”

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë njoftoi se Izraeli tashmë e ka ndaluar zyrtarisht dërgimin e ndihmave në veri të Gazës. Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u kërkoi vendeve të rifillojnë financimin e agjencisë së ndihmës së Kombeve të Bashkuara për palestinezët, pasi roli i agjencisë në Rripin e Gazës mbetet thelbësor. Agjencia, e njohur si UNRUA, e cila ka të punësuar rreth 13 mijë vetë në Gaza, është furnizuesi kryesor i ushqimit, ujit dhe strehimit. Izraeli e akuzon agjencinë UNRUA për bashkëpunim me Hamasin dhe për përdorim të strukturave të OKB-së, për qëllime ushtarake. Zyrtarët e OKB-së thonë se një e katërta e popullsisë po vdes urie pasi aksesi në enklavë është i kufizuar. Guterres tha se një hetim i pavarur po vazhdon, por ai shpreson të shohë të ardhmen e organizatës.
“Ne jemi plotësisht të angazhuar për të forcuar UNRUA-n, për të garantuar se UNRUA është një agjenci e OKB-së dhe që i përmbahet vlerave të OKB-së. Dhe jam i bindur se rezultatet e hetimit, rezultatet e shqyrtimit dhe veprimet do të ndërmerren për ta bërë UNRUA-n më të fortë, më efektive. Çdo pushtim tokësor i Rafahut mund të nënkuptojë një katastrofë humanitare. UNRUA ka qenë sistematikisht e nën financuar, kështu që ne duhet ta forcojmë atë në aspekte të ndryshme. Po shoh gjithnjë e më shumë vende që njohin rolin thelbësor të UNRUA-së dhe madje edhe disa nga vendet që kanë pezulluar fondet tashmë e kanë rinisur këtë financim”, deklaroi Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së. /Alsat.mk