Izraeli vazhdon bombardimet e pareshtura në Gaza
Izraeli vazhdon bombardimet e pareshtura në Gaza

Gazetar: Adrian Kerimi
Ka arritur mbi 2.200 bilanci i të vrarëve nga konflikti i armatosur mes Izraelit dhe Palestinës, gjegjësisht grupit të armatosur Hamas dhe forcave Izraelite. Ushtria izraelite ka njoftuar për të paktën 170 të vrarë, derisa kanë njoftuar për sulme me raketa ajrore në Gaza.
Gaza ka mbetur pa rrymë pasi termocentrali i vetëm në Rripin e Gazës, që është nën rrethimin e Izraelit, është mbyllur pasi ka mbetur pa karburant, thanë autoritetet palestineze. Ndërkohë prej dy ditësh është ndërprerë edhe furnizimi me ujë, pas hedhjes së qindra tonëve beton në rezervuarin e ujit nga ana e forcave izraelite.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit është ftuar në Bruksel në samitin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s ku do të tregon për bilancin e konfliktit 5 ditor. Hamasi nga ana tjetër ka akuzuar se Izraeli ka përdorur bomba me fosfor të cilat i kë lëshuar në drejtim të civilëve. Ndërkohë, Papa Francesku përmes një mesazhi drejtuar palëve ka kërkuar që të ndalet agresioni, ndërsa pengjeve t’i mundësohet liri e pakushtëzuar menjëherë.
“Kërkoj që pengjet të lirohen menjëherë dhe kushdo që sulmohet të ketë të drejtë të mbrohet. Por unë jam shumë i shqetësuar për rrethimin total nën të cilin po jetojnë palestinezët në Gaza, ku ka edhe shumë viktima të pafajshme. Terrorizmi dhe ekstremizmi nuk ndihmojnë për të arritur një zgjidhje të konfliktit mes izraelitëve dhe palestinezëve, por ushqejnë urrejtjen, dhunën, hakmarrjen dhe vetëm e bëjnë njëri-tjetrin të vuajnë”, deklaroi Papa Francesku.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan duke komentuar konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit ka deklaruar se ky i fundit nuk po vepron si shtet por si organizatë, ndërsa kabineti i tij ka njoftuar se Erdogan ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin rus, Vlladimir Putin me të cilin ka biseduar për nevojën urgjente të normalizimit të situatës në Lindjen e afërt. Mbrojtja Civile në Gaza ka njoftuar se të paktën 200 mijë qytetarë kanë lëshuar vendbanimet tyre, ndërsa numri i tyre mund të rritet thonë nga zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara. /Alsat.mk