Ja kë e emëroi Arsovska në vend të Zudi Kokës
Pasi shkarkoi Zudi Kokën, Arsovska emëron Kosana Maznevën nga VMRO-DPMNE, drejtoreshë të Higjienës Komunale

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska sot e ka emëruar për drejtoreshë të Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale, Kosana Mazevën nga VMRO-DPMNE.
Mazeva vjen në vend të Zudi Kokës, pasi ai u shkarkua nga kjo pozitë për shkak të incidentit gjatë protestave kundër propozimit francez, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
“Mazneva ka më shumë se 15 vite përvojë, prej të cilave ka punuar si udhëheqës Sektorit të Natyrës në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, inxhinier përgjegjës dhe këshilltare për mjedis jetësor në Sh.A. Elektranat e Maqedonisë dhe ish deputete në dy mandate. Arsimimin e lartë e ka mbaruar në Fakultetin Matematiko-Natyror në Shkup”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Përndryshe, shkarkimi i Zudi kokës u bë shkak që Aleanca për Shqiptarët ta ndërpret bashkëpunimin me Danella Arsovskën, të cilën e kishte përkrahur gjatë zgjedhjeve lokale ku garonte kundër Petre Shilegovit të LSDM-së.
Qyteti i Shkupit nën udhëheqjen e Arsovskës nuk ka asnjë drejtor të ndërmarrjeve publike me kombësi shqiptare.