Ja kur do të jepet mandati për formimin e Qeverisë së re
Ja kur do të jepet mandati për formimin e Qeverisë së re

Gazetare: Fatlume Derivishi
Ka filluar të rrjedhë afati 10-ditor për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë së re. Presidenti Stevo Pendarovski paralajmëroi se kjo mund të ndodhë në një kohë më të shkurtër se aq, madje që në ditët e para të javës së ardhshme, shkruan Alsat.
“Disa procedura brendapartiake njoftohen për të hënën në mbrëmje ku kjo do të definohet dhe ndoshta të mërkurën ose të martën e ardhshme do ta mund të organizojmë atë akt”, ka thënë Stevo Pendarovski, President.
Në intervistë për Televizionin Kanal 5, presidenti më tej thotë se Kuvendi e ka njoftuar për dorëheqjen e Qeverisë por nevojitet një shkresë shtesë nga partitë që kanë shumicën. Pendarovski për momentin nuk e sheh të nevojshme të kërkojë 61 nënshkrime si vërtetim për ekzistencën e shumicës parlamentare.
“Nuk mundem të ja jap Dimitar Kovaçevskit vetëm në bazë të asaj që e dëgjoj në media. Më duhet edhe një shkresë nga partia ose partitë, siç thotë ligji, i cili do të thotë “ne kemi shumicë dhe kandidati jonë është Dimitar Kovaçevski”, shtoi tutje Pendarovski.
Mandatar pritet të jetë Dimitar Kovaçevski por emri i tij duhet të marrë konfirmimin e organeve të LSDM-së.
“Në seancën e kryesisë qendrore do të zgjidhet mandatari. Siç thatë, presim që ai të jetë kryetari i partisë Dimitar Kovaçevski. Më tej mandatari do t’i ndërmarrë të gjitha hapat sipas Kushtetutës. Shumica në Kuvend është shprehur qartë dhe është stabile”, tha Stefan Vasev, LSDM.
Pasi të marrë mandatin, Kovaçevski ka 20 ditë kohë për të propozuar përbërjen e kabinetit të ri qeveritar dhe programin.
Kabineti qeveritar i Kovaçevskit pritet të ndryshojë në disa aspekte nga ai i Zaevit. Fillimisht, brenda tij do të përfshihet edhe Alternativa si partia më e re që ju bashkua pushtetit. E dyta, do të ketë ndryshime edhe në emrat e LSDM-së brenda ekzekutivit, dhe këmbim resorësh me partnerët e koalicionit.
Milla Carovska nuk do ta drejtojë më Ministrinë e Arsimit dhe nuk do të jetë pjesë e Qeverisë. Vendin e saj pritet ta zërë ministri i deritanishëm i Administratës Jeton Shaqiri nga radhët e BDI-së. Ministria e Bujqësisë e cila i kishte takuar Besës, i kthehet përsëri LSDM-së dhe pritet të jetë në dorën e Trajan Dimkovskit. Pjesë e ndryshimeve mund të jetë edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ministri i deritanishëm Oliver Spasovski ka deklaruar se kjo varet nga mandatari por gjithashtu se nuk e sheh veten pjesë strukturës udhëheqëse të LSDM-së. Si ministër i Brendshëm i mundshëm përflitet emri i Lupço Nikollovskit dhe ai i Sllavjanka Petrovskës. Alternativa merr Shëndetësinë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Pjesë e kabinetit qeveritar nuk do të jetë më as Radmilla Shekerinska, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes pritet të drejtohet nga kuadër i Partisë Liberal Demokrate.
Vendi pritet të ketë qeveri te re në gjysmën e dytë të muajit janar. / Alsat.mk