Ja se si e zbulon inteligjenca artificiale moshën e një personi
Ja se si e zbulon inteligjenca artificiale moshën e një personi

Inteligjenca artificiale në fushën e shikimit automatik, kapja dhe analiza e të dhënave nga imazhet dixhitale, nuk përdoret vetëm për krijimin e fotove interesante në mediat sociale, por edhe në fusha të rëndësishme shkencore si mjekësia.
Studiues nga universitete bashkëpunuese në Kinë kanë zhvilluar një sistem inteligjence artificiale që përcakton me saktësi të jashtëzakonshme moshën e një personi thjesht duke analizuar një foto të retinës së tij, raporton BGR.com.
Sipas studimit të botuar në revistën Nature, kjo teknologji përdor një skanim jo-invaziv të syrit për të llogaritur jo vetëm moshën kronologjike të individit, por edhe për të identifikuar ndryshimet midis moshës reale dhe ‘moshës së syrit’.
Shkencëtarët kanë zhvilluar inteligjencën artificiale FLEX (Frozen and Learning Ensemble Crossover), të cilën e kanë trajnuar me mbi 20,000 fotografi retinash të më shumë se 10,000 të rritur. Ata përdorën gjithashtu rreth 2,500 imazhe nga gati 1,300 gra para menopauzës, për të vlerësuar nëse mosha e syrit mund të përdoret si tregues i problemeve të pjellorisë dhe shëndetit riprodhues.
Çfarë tregon ‘fundi’ i syrit?
FLEX analizon karakteristikat mikrovaskulare të ‘fundit’ të syrit, pjesa e brendshme dhe e pasme që përfshin retinën, makulën dhe nervin optik, të cilat lidhen me plakjen biologjike. Kështu, ai përcakton ‘moshën e retinës’ dhe e krahasojnë me moshën kronologjike të personit.
Në rastet kur mosha e syrit është më e madhe se mosha reale, u vërejt një lidhje me nivele më të ulëta të hormonit anti-Müller (AMH), një tregues i rezervës ovariane. Sa më e ulët kjo vlerë, aq më e vështirë bëhet ngjizja, veçanërisht për gratë më të moshuara.
Shkencëtarët studiuan gratë nga 40 deri në 50 vjeç dhe zbuluan se çdo ‘vit retinal’ shtesë rrit rrezikun e niveleve të ulëta të AMH-së me 12% në grupmoshën 40-44 vjeç dhe me 20% në grupmoshën 45-50 vjeç. Gjithashtu, gratë që kishin lindur më shumë fëmijë në moshë të re kishin nivele më të ulëta të AMH-së.
Për më tepër, çdo ‘vit retinal’ shtesë rriti me 36% gjasat e menopauzës para moshës 45 vjeç.
Pse është i rëndësishëm FLEX?
Këto zbulime hapin mundësi të reja diagnostikuese në mjekësinë riprodhuese. Një skanim i thjeshtë i retinës mund të shndërrohet në një mjet parashikues për problemet gjinekologjike, duke u dhënë grave informacion të vlefshëm për planifikimin familjar apo për vendimin nëse duhet të marrin në konsideratë ngrirjen e vezëve.
Në të njëjtën kohë, për gratë mbi 40 vjeç që shqetësohen për menopauzën e parakohshme, ky test mund të ofrojë të dhëna të rëndësishme për nevojën e ndërhyrjeve parandaluese, si terapia hormonale, që mund të vonojë ose lehtësojë simptomat.