Në përpjekje për të lidhur arsimin me tregun e punës, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se modeli i arsimit dual pritet të zgjerohet edhe në arsimin e lartë, duke e cilësuar këtë hap si jashtëzakonisht të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Janevska u bëri thirrje kompanive dhe industrisë që të përfshihen më aktivisht në proceset arsimore, pasi, siç tha ajo, sistemi arsimor përgatit profesionistët e ardhshëm që më pas do të punojnë pikërisht në bizneset e tyre. Ngjashëm vlerësojnë edhe nga Oda Ekonomike e Teknologjisë MASIT duke shtuar se është e rëndësishme të kuptohet se inovacioni nuk vjen vetëm nga shkollat apo laboratorët kërkimorë.
“I kërkova këtij komuniteti të përfshihet më shumë në procesin e arsimit sepse sistemi arsimor krijon kuadro që do të përfshihen në bizneset e tyre në mënyrë që së bashku, në një sinergji të përbashkët të menduar mirë, të arrijmë qëllimin. Në sistemin arsimor, përveç programeve që modernizojmë për nxënësit, ne zhvillojmë trajnime për mësuesit në shkrim leximin dixhital dhe teknikat e avancuara dixhitale dhe inteligjencën artificiale. Po bëjmë përpjekje të mëdha, por besoj se lidhja e të gjithë palëve të interesuara, përfshirë industrinë, kompanitë e vogla, të mesme dhe të mëdha, do të na çojë shumë më shpejt drejt qëllimit të dëshiruar”, deklaroi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit.
“Anëtarët e dhomës MASIT janë kryesisht kompani nga industria e Teknologjisë ose industria e telekomunikacionit. Për disa prej tyre, modeli i arsimit të dyfishtë është aplikativ, megjithëse mendoj se shumica e tyre e shohin interesin e tyre më shumë në arsimin e lartë, studentët dhe të diplomuarit nga fakultetet teknike, diçka që patjetër duhet ta përmirësojmë si praktikë në mënyrë që të kemi rezultate më të mira”, tha Vesna Ivanoska, MASIT. /Alsat.mk








