“Java e modës” për meshkuj në Paris
“Java e modës” për meshkuj në Paris

Në javën e tretë të janarit, “Java e modës” në Paris ishte e dedikuar për meshkujt. Pas Milanos, nga 16 deri më 21 janar në Paris ishin 42 shfaqje nga brendet më të njohura në botë.
Kaosi në rrugët e qytetit francez filloi pak para sfilatës së “Louis Vuittonit”. Të gjithë ishin kuriozë të shihnin se çka kishte përgatitur këtë herë Pharrelli, drejtor kreativ i kompanisë. Harmonika shërbeu si ftesë për mysafirët, pasi çdo gjë lidhej me të në sfilatë. Koleksioni ishte i inspiruar nga rrënjët e gardërobës perëndimore amerikane.
Për herë të parë u shfaq edhe bashkëpunimi në mes brendeve “Timberland” dhe “LV”. Gjatë shfaqjes vërehej stili kauboj, stili i rrugëve amerikane dhe punimet artistike në këpucët “Timberland”. Në këtë koleksion disenjatori riktheu syzet e famshme të markës “The Millionaires” të cilat për herë të parë u krijuan nga Pharreli dhe Nigo në vitin 2004.
Për herë të parë për publikun u shfaq edhe koleksioni i ri nga “Givenchy”, por kësaj radhe pa drejtimin e Matthew Williamsit. Veshjet u realizuan nga grupi i disenjatorëve të markës.
Një nga shfaqjet që mori vëmendje ishte koleksioni i realizuar nga Rick Owens. Sfilata u mbajt ne shtëpinë e tij. Si çdo herë disenjatori befasoi publikun. Sfilata filloi me një manekin gjysmë të zhveshur, me pantallona ekstravagante dhe çizme të fryra tek kyçet. Koleksioni u titullua “Porterville”, një qytet në Kaliforni në të cilin ka lindur Owens.
Një nga brendet më me ndikim në botën e modës është “Dior”. Ky fakt vlen edhe për veshjet e burrave. Disenjatori Kim Jones në një intervistë para sfilatës ka thënë se kohëve të fundit për faj të rrjeteve sociale çdo gjë po ndryshon shumë shpejt, madje edhe moda. Sipas Jonesit, po shfaqen shumë stile dhe po jepen deklarata për koleksionet nga persona joadekuatë. Kështu që ai ka vendosur të mos lexojë më lajme dhe të fokusohet vetëm tek puna e tij. Ky ishte koleksioni i parë për meshkuj i realizuar nga Jones për “Dior”. Krijimet ishin kombinim i veshjeve të përditshme me veshjet teatrale.
Koleksioni për meshkuj nga “Loewe” ishte inspirim nga Richard Hawkins, i cili ishte një eksplorues anglez në shekullin 17.
Në këtë javë mode pas katër vjetësh rikthehet “Valentino” me koleksion për meshkuj. Koleksioni u titullua “Le ciel 20.24”, “ciel” që në shqip do të thotë qielli. Disenjatori Pierpaolo Piccioli vendosi të krijojë një koleksion jo vetëm për burra, por për të gjithë njerëzit. Kritikët pritën veshje të kaltra si qielli, por në sfilatë ishte vetëm një pallto e kaltër.
Brendi që mbylli kaosin nga java e modës për meshkuj ishte “Balmain”. Edhe Olivier Rousteing vendosi të rikthehet me sfilatë për meshkuj pas katër vjetësh. Për dallim nga koleksionet e tjera që kishin realizuar brendet e ndryshme, këtë koleksion e karakterizuan ngjyrat. Sfilatën për meshkuj nga “Balmain” e mbylli modelja Naomi Campbell.