Javën që vjen, kryeministri Hristijan Mickoski do ta ftojë kreun e ASH-së Arben Taravari

Javën që vjen, kryeministri Hristijan Mickoski do ta ftojë kreun e ASH-së Arben Taravari

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Javën që vjen, kryeministri Hristijan Mickoski do ta ftojë kreun e ASH-së Arben Taravari për t’i thënë rruga e mbarë. Mickoski deklaroi se më së paku që ka pritur nga Taravari, është që të përfundojë në krahët e kreut të BDI-së Ali Ahmeti.

“Mendoj se z.Taravari dhe ca të tjerë rreth tij janë të vendosur të kthehen në krahët e Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Unë vetëm mund t’i uroj fat dhe shpresoj se do të kem një takim përfundimtar gjatë javës së ardhshme ku do t’i përmbledhim të gjitha punët që janë bërë dhe t’i uroj para se gjithash shëndet të mirë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Sipas Mickoskit, jo e gjithë kryesia dhe zyrtarët e ASH-së janë të mendimit të njëjtë me Taravarin. Megjithatë, ai nuk tregoi nëse do ta largojë tërë ASH-në, apo ekziston mundësia që të qëndrojnë zyrtarët që nuk pajtohen me Taravarin. Për këtë, do të tregojë koha tha Mickoski.

“Më së paku që kam pritur është që të kthehet prapa në krahët e Ali Ahmetit dhe të tjerëve por kjo gjithsesi është vendim i tij dhe jam i bindur se vendim i ca të tjerëve dhe se kjo nuk është vendim i anëtarësisë së ASH-së dhe një pjesë e madhe e anëtarëve që janë pjesë e qeverisë. Por kjo është ajo, është përzgjedhja e tyre, pres që këtë javë të pimë një kafe të fundit, do ta ftoj kuptohet e më pas pres që, meqenëse qeveria është stabile dhe e fortë, ka shumicë të fuqishme në Parlament, të vazhdojë me procesin reformues”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Një ditë më parë kreu i ASH-së Arben Taravari, gjatë hapjes së zyrave të partisë në Shkup, tha se besimi mes tyre dhe partnerëve qeveritarë është në gjendje të mjerueshme dhe se më mirë për ta do të ishte që të kalojnë në opozitë. Taravari mohoi të kenë plan për t’iu bashkuar Frontit Evropian, ndërsa përsëriti se vendimi i vetëm i deritanishëm është që në zgjedhjet lokale, të garojnë me lista të posaçme për këshilltarë komunal./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button