Jazhincë, ministrat e RMV-së dhe Kosovës, përuruan kalimin One-stop-shop
Jazhincë, ministrat e RMV-së dhe Kosovës, përuruan kalimin One-stop-shop

Dy delegacionet e Ministrive të Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, u takuan bashkë në kufirin e Jazhincës për të promovuar kalimin One-stop-shop.
Qëllimi i realizimit të këtij projekti, sipas dy ministrave të Punëve të Brendshme, është evitimi i kolonave të gjata dhe pritjeve të qytetarëve siç ishte deri ditën e djeshme.
Toshkovski me këtë rast tha se për dallim nga pikat tjera kufitare, kjo pikë nuk do t’i ketë problemet me vonesat në sistem sepse problemi i bajpasit tashmë është zgjidhur nga përvoja me kufijtë e tjerë.
Të dy ministrat premtuan edhe rehabilitetim e rrugëve si dhe hapjen e pikave të reja kufitare.
“Me lëshimin në funksion edhe të kësaj pike kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës e rrumbullakojmë kufirin me Kosovën. Mundësojmë transferim më të shpejtë të qytetarëve mes dy shteteve tona. Lëshimi në funksion të Pikës Kufitare Bllacë është dëshmuar si shumë funksional në këtë mënyrë. Kështu që shpresoj që edhe këtu në Pikën Kufitare që ndodhemi momentalisht, gjithashtu do të kemi funksionalitet absolutisht më të mirë, transferim më të shpejtë të qytetarëve tanë me qëllim që të kemi komunikim më të mirë si dy shtete”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme të RMV-së.
“Unë besoj se kjo do të sjellë të mira për qytetarët e dy vendeve e posaçërisht për banorët e kësaj zone kufitare, të cilët do të mund të kalojnë këto procedurat e kalimit kufitar shumë shpejtë. Por, në të njëjtën kohë, ashtu siç biseduam edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, po vërehet një bashkëpunim shumë i mirë i dy policive, në mënyrë që të parandalohet çfarëdo keqpërdorimi apo çfarëdo vepre në kuptimin e shkeljeve ligjore apo sa i takon kufirit”, theksoi Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës./ Alsat.mk