Jep dorëheqjen edhe drejtori ekonomik i spitalit të Tetovës, Artan Etemi

Vetëm pak minuta pas dorëheqjes së drejtorit të spitalit, Florin Besmi, ka dhënë dorëheqjen edhe kolegu i tij, drejtori ekonomik Artan Etemi. Edhe ai e justifikon dorëheqjen e tij me të njëjtin motiv me atë të kolegut të tij, për arsye morale.
Duke ndjerë dhimbjen e thellë nga tragjedia që ndodhi në qendrën modulare në Tetovë, si dhe duke qenë prezent vetë në vendin e ngjarjes, nga pamjet trishtuese që kam përjetuar duke nxjerrë edhe vetë me duart e mia kufomat e viktimave, në cilësinë e drejtorit ekonomik të Spitalit të Tetovës jap dorëheqjen time si një akt moral.
Qëndroj besnik në parimin se organet hetuese dhe ekspertët e angazhuar ndërkombëtar do zbulojnë arsyen e vërtetë se si erdhi deri te tragjedia që ndodhi në qendrën modulare dhe që theu zemrat tona.
Bashkëndjej dhimbjen me familjarët e viktimave.
Artan Etemi
10.09.2021
Tetovë