Johnson: Për klimën duhet të kujtojmë rënien e Perandorisë Romake

Një thirrje e përzemërt për t’u përballur urgjentisht  me kërcënimin e ndryshimeve klimatike, në G20 në Romë dhe gjatë konferencës ndërkombëtare pasuese CoP26 në Glasgou është bërë nga kryeministri britanik, Boris Johnson.

”Të gjithë liderët e planetit duhet të marrin parasysh mësimin që na vjen nga historia për rënien e Perandorisë Romake si një shembull i shpejtësisë së kolapsit të një qytetërimi”, deklaroi Johnson për gazetarët, në bordin e avionit drejt Romës.

”Njerëzimi mund të përparojë, por edhe të bëjë regres. Thjesht shikoni rënien e Perandorisë Romake. Dhe kam frikë se kjo mund të ndodhë edhe sot, që bota jonë mund të kthehet pas nëse nuk veprojmë drejt për të kundërshtuar ndryshimet klimatike”, theksoi ai.

”Kur Roma ra, njerëzimi u bë shumë më pak i shkolluar. Njerëzit humbën aftësinë për të lexuar, ata humbën aftësinë për të ‘vizatuar’ siç duhet perspektivën”, tha Johnson.

“Kur gjërat fillojnë të shkojnë keq, ato munden të përkeqësohen me shpejtësi të jashtëzakonshme”, shtoi kryeministri konservator.

“Është detyra jonë për të ofruar një të ardhme brezave, fëmijëve tanë, nipërve dhe mbesave, jeta e të cilëve nuk po shënohet vetëm nga migrimet dhe shpërnguljet e mëdha të popullatave, por edhe nga mungesa e ujit dhe ushqimit apo konfliktet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike”, theksoi ai.

”Ky është një kërcënim me të cilin duhet të përballemi tani”, përfundoi ai duke theksuar nevojën për përpjekje të mëdha jo vetëm nga qeveria britanike, por edhe nga partnerët e saj në të gjithë botën.

LEXO EDHE:

Back to top button