Josep Borrell, u bëri thirrje 27 shteteve anëtare që të gjejnë kompromis dhe të lënë pas inatet

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje 27 shteteve anëtare që të gjejnë kompromis dhe të lënë pas inatet, teksa blloku po debaton nëse duhet të ndalojë lëshimin e vizave turistike për rusët, si sanksion për pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.
Duke folur për gazetarët më 31 gusht pasi arriti në ditën e dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Pragë, Borrell tha se “ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe një vendim politik”.
Çështja e kufizimit të vizave për rusët është aktualizuar ditëve të fundit nga disa shtete të bllokut, por që të arrihet një marrëveshje duhet vendim unanim i të 27 shteteve të bllokut. Më pas ky vendim do të bëhej sanksioni më i ri kundër Rusisë për shkak të pushtimit të saj të paprovokuar të Ukrainës.
Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – shtetet e Baltikut, Polonia dhe Finlanda – kanë udhëhequr kauzën për vendosjen e një ndalese kufizuese mbi vizat për turistët rusë. Për shkak të sanksioneve të BE-së për fluturimet nga Rusia, shumica e udhëtarëve përdorin kufijtë tokësorë për të udhëtuar në shtetet e BE-së.
Por, nga sanksionet u përjashtuan “rusët e zakonshëm” të cilët ende vazhdojnë të gëzojnë nga përftimet lehtësuese të kësaj marrëveshjeje, sikurse reduktimi i kohës dhe kostos së vizës, por edhe paraqitja e më pak dokumenteve për aplikim.
Gjermania dhe Franca kanë thënë se kufizimi i vizave për rusët do të ishte kundërproduktiv, teksa BE-ja tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e atyre rusëve që nuk e mbështesin agresionin e Moskës kundër Ukrainës.
Të 27 shtetet e bllokut duhet të pajtohen në mënyrë që masa për kufizimin e lëshimit të vizave të mund të aplikohet në të gjitha shtetet e BE-së.