Jurisprudenca/ Sali: Javën tjetër, pritet raporti final i ekspertëve
Gazetare: Ajnur Bafqari
Pas paralajmërimeve të bashkëkryetarëve të VLEN-it për nisjen e procedurave për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës brenda muajsh dhe deklaratën e kryeministrit Mickoski, se zgjidhjen do ta dërgojë në Komisionin e Venecias, numri dy i Qeverisë Bekim Sali, tha se versioni final i ekspertëve, pritet javën e ardhshme.
“Jemi në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë, unë mendoj se shpejt, ndoshta edhe, tani nuk dua të kapeni për afatin kohor, ndoshta edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final, të cilin do ta promovojmë në mënyrën e njëjtë besoj. Për arsye se që nga fillimi ka pas vullnet të mirë politik që të zgjidhet ky problem” –deklaroi zv kryeministri i parë, Bekim Sali
Ky është vetëm një prej filtrave që duhet të kalojë kjo zgjidhje ligjore, por mbetet i paqartë afati përfundimtar për zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje. Bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, premtojnë një zgjidhje brenda 3 muajve, por duke marrë parasysh paralajmërimet për dërgimin e zgjidhjes ligjore në Komisionin e Venecias, për të cilin foli një ditë më parë kryeministri Mickoski, ky afat duket të jetë mjaft ambicioz.
Kujtojmë se ndryshimet ligjore në fjalë, fillimisht duhet të përgatiten, pastaj të kalojnë në Qeveri e Kuvend, e më pas të nënshkruhen nga Presidenti dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Po ashtu, këtë afat mund ta zgjasë edhe veprimi i Komisionit të Venecias, të cilit për dhënien e mendimit për Ligjin e Gjuhëve iu deshën rreth 10 muaj, ndërsa 5 muaj për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë.
Studentët shqiptarë protestuan dy herë me kërkesën që provimi i jurisprudencës dhe të gjitha provimet e tjera profesionale të mund të realizohen në gjuhën shqipe. Ndërkohë më 26 maj studentët e Shqipërisë do të protestojnë para ambasadës së Maqedonisë në Tiranë. /Alsat.mk








