Juventusi pas Daglas Luizit, kërkon të forcohet me futbollistin e Nicës

Juventusi zyrtarizoi transferimin e Daglas Luiz nga Aston Villa për një operacion që në total kap shifrën e 50 milionë eurove, teksa “bardhezinjtë” përforcojnë nëpërmjet shërbimeve të brazilianit repartin e mesfushës. Por, nuk do të jetë Luiz goditja e vetme për italianët në këtë sektor të fushës.

Drejtori sportiv, Kristiano Xhiuntoli është shumë pranë firmës me Kephren Turam, djalin e legjendës Lilian si dhe vëllai i lojtarit të Inter, Markus.

Juventusi është prej kohësh në negociata me Nicën, klubin që zotëron kartonin e 23-vjeçarit dhe tashmë palët duken më pranë se kurrë më parë. “Bardhezinjtë” kanë gjetur akordin me vetë lojtarin që është gati të firmosë për dy milionë euro në sezon. Tashmë, mbetet për të akorduar edhe mënyrën e pagesës së kartonit me Nicën, teksa Juventus kërkon që të paguajë menjëherë 15 apo 16 milionë dhe më pas katër apo pesë milionë të tjera në formën e bonuseve.

Kështu, falë përforcimeve si Luiz apo Turam, te Juventus presin të qetë edhe vendimin e Rabiot për të ardhmen me francezin që tashmë e ka përfunduar kontratën me “bardhezinjtë”, por që pritet vendimi i vetë mesfushorit pasi të mbyllë eksperiencën me Francën në “Euro 2024”.

Juventus ia ka bërë të qartë ofertën Rabiot, tre vite kontratë me 7.5 milionë euro në sezon. “Topi” tashmë është në fushën e Rabiot.

LEXO EDHE:

Back to top button