Jyrgen Klop “fajtor” për dështimin e Sadio Mane-s te Bajerni?!

Bajern Munihu thuhet se është i zhgënjyer me paraqitjet e sulmuesit Sadio Mane, që kur iu bashkua klubit verën e kaluar nga Liverpulli.
Pas gjashtë vitesh të mbushura me trofe me Liverpullin, Mane vendosi të largohej nga “Anfield” për të shkuar te Bajerni në një marrëveshje me vlerë rreth 45 milionë euro. Ylli nga Senegali u ngarkua të zëvendësonte Robert Levandovskin, pasi sulmuesi polak u largua nga klubi bavarez për në Barcelonë. Megjithatë, sezoni i parë i Mane-s me Bajernin ka qenë larg idealit. Deri më sot, 30-vjeçari ka shënuar vetëm 11 gola dhe pesë asiste, në 28 paraqitje në të gjitha garat.
Sipas gazetarit të Sport1, Keri Hau, stafi trajner i Bajernit dhe zyrtarët e klubit prisnin më shumë nga Mane. Mendohet se Mane është duke ‘humbur shumë duele një me një’, gjë që ka qenë një çështje e vazhdueshme edhe në stërvitje. Raporti pohoi gjithashtu se Bajerni ndjen se Mane-s i mungon ‘shpejtësia dhe eksploziviteti’ që e bëri atë një nga lojtarët më të mirë në botë gjatë kohës së tij me Liverpulli. U spekullua se mungesa e ritmit të Mane-s mund të ketë qenë për shkak të kërkesave fizike të stilit me intensitet të lartë të Jyrgen Klopit.
Mane luajti mesatarisht 50 ndeshje në sezon gjatë kohës së tij me “The Reds”, dhe është raportuar se konsumimi mund të ketë ndikim në paraqitjet e tij. Për më tepër, Hau pohoi se Mane mund ta ketë të vështirë të përshtatet me sistemin e Julian Nagelsmann dhe po lufton me pozicionin e tij të ri në Bajern.