Ka përfunduar takimi 6 orësh, Ahmeti tregon a ka ‘zjarr’ brenda BDI-së

Ka përfunduar takimi 6 orësh, Ahmeti tregon a ka ‘zjarr’ brenda BDI-së

Gazetar: Adrian Kerimi

Ali Ahmeti i nënshtrohet një pjese të mirë të kërkesave të të ashtuquajturit Grup i Zjarrit, duke pranuar mbajtjen për herë të parë pas tre vitesh të mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, prej nga, brenda të njëjtës ditë duhet të zgjidhet kryesia e re, me vendimin e parë të saj po atë ditë që është thirrja për llogaridhënie të punës së ekzekutivit. Me këtë Ali Ahmeti sërish nuk e dha Artan Grubin, pavarësisht bisedimesh 6 orë të gjata, por gjithsesi punën e zv/kryeministrit dhe ekipit të tij në Qeveri ia la në dorë kryesisë së re. Grupi i të Pakënaqurve pas takimit dha shenjat e para të përmbushjes së kërkesave të tyre, veçanërisht atë të kthimit të debatit në organet e partisë dhe jo lënien vetëm në duart e liderit të partisë Ahmeti dhe zv/kryeministrit Grubi.

Pas gati gjashtë orëve përfundoi takimi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti me grupin e pakënaqur brenda kësaj partie. Ahmeti u gjunjëzua ndaj një pjese të kërkesave të grupit të udhëhequr nga nënkryetarë, deputetë, kryetarë komunash dhe anëtarë të ekzekutivit. I pari i BDI-së pranon thirrjen e këshillit të përgjithshëm për të vazhduar më pas me zgjedhjen e organeve partiake dhe llogaridhënien e ekzekutivit para tyre.

“Më 15 tetor do të thirret mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm si organ më i lartë mes dy kongreseve. Ky këshill do të zgjedh kryesinë, këshillin mbikëqyrës dhe pasi të përfundon mbledhja me këshillin e këshillit të përgjithshëm me një analizë të zhvillimeve politike në vend dhe mbledhja e kryesisë, kryesia në kohën e mbetur pas mbledhjes së këshillit të përgjithshëm tërhiqet për të zgjedhur organet tjera të partisë. Duhet zgjidhen sekretariatet, organet e tjera brenda kryesisë që ekzistojnë. Të gjithë këtë proces e menaxhojnë anëtarët e këshillit të përgjithshëm, aktivistët dhe funksionarët e BDI-së”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ahmeti hodhi poshtë pretendimet se brenda BDI-së ekziston grup i zjarrit.

“Nuk ka pas zjarr. Nuk ka pas grup zjarri”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Mexhiti u pyet nëse ka pasur ose jo marrëveshje përfundimtare, por ndërhyri Ahmeti duke thënë se nuk ishin sot për të bërë marrëveshje. Mexhiti shtoi se debati vazhdon brenda BDI-së.

Zotëri Mexhiti, a jeni optimist për një marrëveshje finale?
Ahmeti: Nuk kemi bë marrëveshje ne sot.
Mexhiti: Jo, mendoj se kryetari u përgjigj në të gjitha pyetjet dhe debati është brenda BDI-së.

Ahmeti shtoi se asgjë nuk mund ta cenojë unitetin brenda BDI-së, duke shtuar se gjithnjë është angazhuar që të respektojë zërin ndryshe brenda subjektit. I pyetur për veprimet e deputetit Kastriot Rexhepi, për të cilin pritet që t’i bashkohet grupit parlamentar të BDI-së, Ahmeti tha se veprimi i tij është i bërë me vetëdije dhe vazhdon të jetë pjesë e shumicës parlamentare.

LEXO EDHE:

Back to top button