Ka vdekur Papa Françesku
Ka vdekur Papa Françesku

Papa Françesku është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Vdekja e Françeskut, i cili u bë ati i shenjtë i parë latino-amerikan në vitin 2013 dhe ishte një nga papët më të vjetër në historinë e kishës, erdhi disa javë pasi ai doli nga një spital i Romës, pasi u përball me një rast kërcënues për jetën e pneumonisë në të dy mushkëritë. Ekipi i tij mjekësor tha se gjendja e tij ishte stabilizuar, duke e lejuar atë të vazhdonte rikuperimin në rezidencën e tij në Casa Santa Marta në Vatikan.
Disa javë më parë ai doli nga një spital në Romë pasi u trajtua për pneumoni në të dyja mushkëritë. Dy javë pasi la spitalin, Papa Françesku u shfaq para besimtarëve në Sheshin Shën Pjetër. Në fjalimin e tij të fundit, Papa kujtoi popullin e Gazës, në veçanti popullsinë e saj të krishterë, pasi konflikti “shkakton vdekje dhe shkatërrim” dhe krijon një “situatë të mjerueshme humanitare”. Ai e quajti gjithashtu “shqetësues” rritjen e antisemitizmit global.
“Unë shpreh solidaritetin tim për të gjithë popullin izraelit dhe popullin palestinez. Thirrni një armëpushim, lironi pengjet dhe vini në ndihmë një populli të uritur që aspiron një të ardhme paqeje”. Papa inkurajoi gjithashtu të gjitha palët e përfshira në luftën në Ukrainë që të “ndjekin përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor. Më 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën “Laudato si”, duke bërë thirrje për veprim global për t’i luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit. Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, më 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovim të paqes dhe bashkekzistencës mes besimeve të ndryshme.
Në maj të vitit 2019 Papa Françesku vizitoi Maqedoninë e Veriut. Për komunitetet e ndryshme etnike dhe fetare në vend ai tha se janë një mozaik në të cilin çdo gurë është i nevojshëm për origjinalitetin dhe bukurinë e fotografisë së tërë.
Kolegji i Kardinalëve do të mblidhet në Romë për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut I. Konklava ndjek rregulla të përcaktuara, vetëm kardinalët nën moshën 80 vjeç lejohen të votojnë. Votimi nuk do të zhvillohet për të paktën 15 ditë, pas nëntë ditëve të zisë zyrtare. Nga 252 kardinalë të gjallë, 138 janë nën 80 vjeç dhe janë të kualifikuar për të votuar në konklavë. Kardinalët mbyllen brenda kapelës pa pajisje elektronike apo gazeta. Çdo kardinal plotëson fshehurazi emrin e kandidatit të preferuar. Sipas rendit të vjetërsisë, ata ecin drejt altarit dhe e vendosin fletën në një enë. Nëse askush nuk merr dy të tretat e votave të hedhura, votimi zhvillohet dy herë çdo mëngjes dhe pasdite duke filluar nga dita e dytë. Nëse pas ditës së tretë nuk është zgjedhur ende Papë, mund të merret një ditë pushimi për lutje. Ky proces përsëritet pas çdo shtatë votimesh. Një Papë i ri shpallet pasi siguron mbështetjen e dy të tretave të kardinalëve të pranishëm. Dy herë në ditë, tymi del nga djegia e fletëve të votimit. Tymi i zi tregon dështim. Tymi i bardhë do të thotë se është zgjedhur një Papë i ri. /Alsat.mk