Kabul, situatë kritike në Aeroportin “Hamid Karzai”

Ministria e Jashtme Britanike dhe ushtria i kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të mos i afrohen Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit “Hamid Karzai”. Atje, mijëra njerëz përpiqen të hipin në disa nga fluturimet që janë aty për të evakuuar të huajt dhe ish bashkëpunëtorët e tyre afganë, deri më 31 gusht.
Ky është afati i fundit për tërheqjen e trupave amerikanë. Njerëzit e mbledhur mund të jenë cak i ndonjë sulmi, jo të talebanëve, por të Shtetit Islamik. Qeveria në Londër u kërkon britanikëve të shkojnë në vend të sigurt dhe të presin udhëzime të mëtejshme.
Kërcënimi për të cilin nuk mund të jap detaje është i rrezikshëm, i besueshëm dhe shumë vdekjeprurës”, tha Xhejms Hepej, ministër i Forcave të Armatosura Britanike.
Sipas zyrtarëve të ushtrisë apo inteligjencës amerikane, kërcënimet variojnë nga sulm me raketë ndaj ndonjë aeroplani transportues gjatë uljes ose ngritjes deri në vendosjen e ndonjë kamioni të ngarkuar me eksploziv ose shpërthimin e ndonjë kamikazi të infiltruar në turmë para aeroportit. Tensionet në Kabul po rriten me afrimin e 31 gushtit, ose të martën, kur trupat e fundit amerikane do të largohen nga aeroporti, dhe Afganistani.
Sapo të largohemi nga aeroporti, ai nuk do të jetë më përgjegjësia e Shteteve të Bashkuara. Talibanët, të cilët tani janë në Kabul, do të duhet ta menaxhojnë vetë”, pohoi Xhon Kirbi, zëdhënës i Pentagonit.
Një sulm vdekjeprurës ndaj civilëve amerikanë dhe afganë do të ishte katastrofë jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për talibanët, të cilët po përpiqen të forcojnë kontrollin mbi Kabullun. Talibanët dhe Shteti Islamik janë armiq që luftojnë njëri -tjetrin për kontrollin e pjesëve të vendit.
Ivan Bllazhevski