Kadri Veseli arrin në Kosovë

Kadri Veseli ka arritur në Kosovë. Ai është liruar përkohësisht që të vijë në Kosovë pas vdekjes së babait të tij.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që ta menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë që Kadri Veseli të jetë pranë familjes së ngushtë pas rastit të vdekjes së babait të tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke mbështetur Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Angela Griep.
Babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli, ka vdekur në moshën 94 vjeçare të mërkurën, por në ceremoninë e varrimit nuk ishte i pranishëm djali i tij i vogël [Kadri Veseli]. Ky i fundit iu kishte thënë familjarëve që ceremonia të vazhdojë edhe pa praninë e tij.
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i Kuvendit të Kosovës kishte ardhur në Kosovë edhe në muajin maj, me leje të veçantë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, për ta vizituar babain e tij, atëherë në gjendje të rënduar shëndetësore, që ishte i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës.