Kambovski për Jovanovin: Do të shqyrtohet rasti, sanksione në rast të shkeljeve
Kambovski për Jovanovin: Do të shqyrtohet rasti, sanksione në rast të shkeljeve

Derisa vazhdon revolta e qytetarëve të cilët kërkojnë llogari nga organet gjyqësore të cilët nuk e kanë dënuar në mënyrë përkatëse Vasill Jovanovin, për rastin ku është shpallur fajtor për tregti me lëndë narkotike, kreu i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski, thekson se do të shqyrtohet rasti dhe nëse ka pasur shkelje do të ketë sanksione. Jovanov, i cili më 29 janar duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe në semafor të kuq, e përplasi për vdekje 23-vjeçaren Frosina Kullakovën, pavarësisht se është kapur me marihuanë dhe kokainë, në vend që të përfundojë në burg, gjykata i ka shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë.
“Nuk e di konkretisht çështjen, nuk e di cilat kanë qenë provat, si ka qenë ngjarja dhe nuk do të guxoja të komentoj në lidhje me vendimin derisa nuk e shoh lëndën e plotë. Sigurisht, se do të shqyrtohet. Gjithkund ku ka lëshim, do të sanksionohet. Të gjithë angazhohemi për sundimin e ligjit, domethënë nuk njoh dikë që pajtohet që të na ndodhin gjendje të këtilla”, deklaroi Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor. /Alsat.mk