Kamçev përfundoi në “Shutkë”, i caktohet masa e paraburgimit 30 ditorë

30 ditë paraburgim në burgun e Shutkës për biznesmenin Orce Kamçev për shkak të dyshimeve për arratisje. Informacionin se Kamçevi do të arratiset e ka dorëzuar Agjencia e Sigurisë Kombëtare, pas çka policia e ka arrestuar biznesmenin e njohur në orën 8 të mëngjesit të së dielës. Menjëherë pas kësaj, prokurorja e Prokurorisë së Krimit të Organizuar, Lile Stefanova nga gjykata ka kërkuar paraburgim. Avokati i Kamçevit pohon se masa është sadiste dhe se Kamçevit në stacion policor i është thënë se është ndaluar për mashtrime zgjedhore, ndërsa në gjykatë i është thënë se dyshohet për arratisje për shkak të hetimeve për blerjen e paligjshme të parcelave në Vodno.
https://youtu.be/QS5YnFnNVGA
“Në Ditën e Faljes t’i caktohet një masë e tillë e paraburgimit pa kurrfarë baze mund të jetë vetëm shprehje e sadizmit nga institucionet e sistemit. Të gjitha masat për këtë lëndë, e cila zgjat jashtë afateve të parapara ligjore, 30 muaj nuk është ngritur akuzë, të gjitha masat janë përmbushur. Është dhënë edhe kapital si garanci. Janë dhënë pasaportat dhe z. Orce Kamçev edhe po të donte nuk do të mundte ta lëshojë vendin. Nuk e kërkon askush për mashtrim zgjedhor, por neve kështu na informuan në stacionin policor”, deklaroi Toni Menkovski – avokat i Kamçevit.
Për momentin as MPB e as Prokuroria nuk i arsyeton pretendimet nëse dhe përse eventualisht Kamçev fillimisht është ndaluar e më pas përfundoi në burgun e Shutkës për dy çështje të ndryshme. Prokurorja Lile Stefanova me makinën zyrtare u largua nga gjykata përmes garazhit duke i shmangur mediat. Ajo udhëheq hetimin e parcelave kontestuese në Vodno. Në hetimin për rastin në fjalë, përveç Kamçevit të dyshuar janë edhe ish kryeministri azilant Nikolla Gruevski, kumbari i Gruevskit, Risto Novaçevski, Nenad Josifoviq, ish kreu i DSK-së Sasho Mijallkov si dhe nëna e Kamçevit, Ratka Kamçeva. Prokuroria dyshon se Gruevski ka blerë parcela në Vodno me para të grumbulluara si donacione për partinë VMRO-DPMNE. Kumbari i tij Novaçevski e ka mbuluar pronësinë e tokës. Bëhet fjalë për 1.3 milion euro, para për blerjen e 11 mijë metrave katrorë tokë.
Alsat