Kancelari austriak: Refugjatët afganë të strehohen në vendet fqinje
Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz tha sot se është i bindur se njerëzit që largohen nga Afganistani duhet të strehohen në vendet fqinje.
Ai në konferencën për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se njerëzit nga Afganistani nuk duhet të dërgohen në Evropë dhe se mbrojtja e kufijve është vendimtare për të parandaluar migrimin ilegal dhe për të vazhduar luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Kurz theksoi se valët e emigrantëve parandalohen më mirë në kufijtë e jashtëm të BE-së. Ai pret që vendet e Ballkanit Perëndimor të japin një kontribut në këtë krizë, i cili do të mbështetet nga vendet e BE-së.
Presidenti serb, Vuçiç tha se destinacioni përfundimtar për njerëzit që largohen nga Afganistani është Evropa Perëndimore ose SHBA-ja dhe se ata nuk duan të qëndrojnë në Ballkanin Perëndimor ndërsa Serbia nuk kishte kërkesa apo fluks emigrantësh, por vetëm një kërkesë që kishte të bënte me vajzat apo gratë nga disa klube futbolli dhe se Serbia tha se mund të vinin.
“Serbia do të tregojë solidaritet, por ne me siguri nuk do të jemi një parking për refugjatët. Që Serbia ose ndonjë vend tjetër në Ballkanin Perëndimor të jetë një vendparkim për refugjatët nga Afganistani, kjo nuk do të ndodhë. Deri në 100, 200, 500 njerëz kjo nuk është asgjë. Këtu ne duhet të tregojmë solidaritet, veçanërisht kur bëhet fjalë për gratë”, tha Vuçiç.








