Kandidatët për president të vendit, ja çka premtuan ata në ditën e fundit të fushatës

Kandidatët për president të vendit, ja çka premtuan ata në ditën e fundit të fushatës

Gazetar: Lluka Andreev

Në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale, kandidatja Gordana Siljanovska Davkova nga Gazi Baba e Shkupit, theksoi se pasojat e pushtetit aktual do të ndjehen shumë gjatë dhe, siç thotë ajo, nuk kanë vlera evropiane, shkruan Alsat.

Ajo theksoi se si presidente do të shfrytëzojë të drejtën për t’iu drejtuar më shpesh deputetëve.

“Do të mundohem në Kuvend para deputetëve t’i adresoj jo problemet e mia, por problemet e juaja. Do t’u kërkoj të mbajnë llogari gjatë miratimit së ligjeve dhe vendimeve”, tha Gordana Siljanovska Davkova – kandidate për presidente.

Kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, ka prezantuar programin e tij para banorëve të Gostivarit. Ai theksoi se në këtë qytet ku është kryetar komune, pret të ketë avantazh të konsiderueshëm ndaj kundërshtarëve të tij.

“Të mërkurën ka votim dhe bëhet fjalë personalisht për mua. E di që më keni përkrahur gjithmonë, në çdo betejë politike dhe nuk kam dyshim se sërish do të jepni maksimumin, për ta bërë dallimin edhe më të madh në Gostivar”, u shpreh Arben Taravari – kandidat për president.

Në tubimin qendror në Shkup, kandidati për president Stevo Pendarovski theksoi se asnjëherë nuk ka dhënë shpresa dhe premtime të rreme për realizimin e shpejtë të qëllimeve strategjike të shtetit dhe qytetarët do të mund të kuptojnë se programi i kujt është i zbatueshëm për t’u realizuar.

“Rreziku më i madh është nëse u japim shans në zgjedhje atyre që i kemi parë si qeverisën me popullin për njëmbëdhjetë vjet. Pas më shumë se tre dekadash pavarësi, jam i bindur se qytetarët maqedonas shumë mirë e dinë programi i kujt është real dhe i kujt është në hap me kohën”, theksoi Stevo Pendarovski – kandidat për president.

Në ditën e fundit të fushatës, kandidati për president i Frontit Evropian Bujar Osmani vlerësoi se ka bërë fushatë pozitive. Në takim me aktivistë dhe mbështetës të rinj, ai u kërkoi atyre që të kenë kujdes nga lajmet e rreme dhe të marrin pjesë aktive në jetën politike.

“Këto janë instrumente sistematike, të projektuara mirë, si të forcave globale, ashtu edhe të forcave rajonale, por edhe të forcave të brendshme që duan të minojnë besimin e qytetarëve tek institucionet, që duan t’i pasivizojnë të rinjtë nga pjesëmarrja në aktivitete politike”, tha Bujar Osmani – kandidat për president.

Kandidati për president Stevço Jakimovski sot e vazhdoi fushatën e tij në takime me qytetarët në komunën e Shuto Orizares. Ai premtoi se do të angazhohet në mënyrë aktive për respektimin e vazhdueshëm të Ligjit për përmbaruesit, në mënyrë që, siç shton ai, të parandalohet tërbimi i tyre.

“Unë si president i Republikës së Maqedonisë do të insistoj që ky ligj të respektohet dhe të ndalet ky tërbim i përmbaruesve, sepse në rrezik më të rëndë janë 83 mijë familje dhe të gjitha janë familje të varfra me të ardhura të ulëta”, tha Stevçe Jakimovski – kandidat për president.

Kandidatja Biljana Vankovska në rrjetet sociale ka shkruar se ka ndjenjën e përgjegjësisë, sidomos duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet bota. Sipas saj, Maqedonia ka nevojë për një president që e sheh pasqyrën globale. Fushatën e takimeve me qytetarët do ta vazhdojë në Kërçovë dhe Gostivar./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button