Kandidati presidencial i koalicionit VLEN Arben Taravari në konventën promovuese në Gostivar tha se do jetë president i popullit

Kandidati presidencial i koalicionit VLEN Arben Taravari në konventën promovuese në Gostivar tha se do jetë president i popullit dhe do të përkushtohet të jetë president i maqedonasve, shqiptarëve, turqve dhe të gjitha etnive në vend.
“Baza e programit tim janë ndryshimet kushtetuese, pasi ato janë kushti ynë për ta vazhduar rrugën evropiane dhe kur të hapet kushtetuta duhet të hiqet termi përkufizues për shqiptarët, sepse ne jemi shtetformues dhe është koha të thirremi me emrin tonë në kushtetutë. Presidenti duhet të votohet në kuvend dhe kështu do të kemi mundësi reale që të zgjidhet presidenti shqiptar”, tha
Arben Taravari, kandidat për president.
Kandidati Taravari tha se futja e pakicës bullgare dhe e pakicave tjera në kushtetutë është domosdoshmëri dhe kjo do të realizohet shumë shpejt pasi të formohet qeveria e re, pjesë e së cilës sipas tij do të jetë VLENI. Taravari në fjalimin e tij u shpreh se do të angazhohet edhe për lirinë e medias dhe të shprehjes.
Në fjalimin e tij, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti u shpreh se struktura politike e BDI-së e rehatuar në kolltukët e pushtetit është e stërlidhur me oligarkët e biznesmenët rus e serbë, ndërsa u ka dhënë mundësi Samsonenkos dhe Daka Davidoviqit, i ka dhënë leje kazinove të nëntokës serbe. Ai tha se BDI- ja i ka hapur rrugën Sergej Llavrovit në kohën kur bota është kthyer kundër Rusisë. Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami u shpreh se ndodhemi para një kthese politike, e cila është e prekshme dhe po ndjehet në të gjitha hapësirat shqiptare të Maqedonisë së Veriut e ky është vullneti i shqiptarëve për ndryshim. Kreu i partisë Alternativa, Afrim Gashi u shpreh se duhet një fitore me 120 mijë vota plebishitare sepse vetëm kështu i ka hije votës shqiptare. Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Bekim Qoku u shpreh se koalicioni VLEN është për demokraci kundër korrupsionit dhe hajnisë. Në konventën promovuese foli edhe Nora Taravari, bashkëshortja e kandidatit presidencial e cila u shpreh se Arben Taravari është njeri i përkushtuar për familjen./Alsat.mk