Kaos në Afganistan, tre të vdekur në aeroportin e Kabulit

Të paktën tre persona kanë mbetur të vdekur nga të shtënat me armë zjarri, që u shënuan mëngjesin e ditës së sotme në aeroportin e Kabulit, ku mijëra afganë dhe nëpunës të përfaqësive diplomatike janë dyndur për të marrë avionin dhe për t’u larguar nga vendi, pas pushtimit nga forcat talibane. Ushtria amerikane ka marrë sigurinë e aeroportit të Kabulit për të ekzekutuar transportin masiv të diplomatëve dhe qytetarëve të huaj pasi qeveria afgane ra të dielën.
Disa linja ajrore ose kanë pezulluar ose kanë ndryshuar rrugët për t’iu shmangur hapësirës ajrore të Afganistanit, pasi qeveria e vendit ra në duart e talibanëve.
Ndërsa një pjesë e mirë e trupave talibane kanë hyrë në Afganistan, duke marrë edhe kryeqytetin Kabul, nënkryetari i tyre thotë se tani është koha për të siguruar njerëzit e Afganistanit dhe për të përmirësuar jetën e tyre. Komentet u bënë në një video të re të lëshuar nga militantët, një ditë pasi luftëtarët shpallën fitoren në Kabul, si dhe hynë në Pallatin Presidencial.
Tani është koha për të gjykuar, ne do t’i shërbejmë kombit tonë, do t’i japim qetësi të gjithë kombit, ne do të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur për përmirësimin e jetës së tyre – tha Baradar Akhund, nënkryetar i talibanëve.
Talibanët u futën edhe në rrjetin mediatik TOLO. Kontrolluan armët e nëpunës të sigurimit, kanë mbledhur armët e qeverisë dhe kanë rënë dakord ta mbajnë ndërtesën të sigurt. Media njofton se nëpuënësit e saj janë mirë dhe transmetimi ka vazhduar.
Ndërkohë, bota nuk e ka pritur mirë lajmin e marrjes së Afganistanit nga talibanët. Në SHBA, republikanët po e shtojnë presionin mbi Presidentin Biden. Bideni e ka mbrojtur tërheqjen nga Afganistani kohët e fundit. Një ose pesë vite të tjera të pranisë ushtarake nuk do të sillnin ndonjë ndryshim, tha ai në fundjavë.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Afganistani është duke kaluar “orë të dhimbshme”, në një kohë kur qeveria gjermane po përpiqet të nxjerrë sa më shpejt nga vendi qytetarët e saj, anëtarët e familjeve të tyre dhe punonjësit lokalë.
Ministria kineze e Punëve të Jashtme njoftoi në Pekin se është e gatshme të vendosë marrëdhënie miqësore me qeverinë e re. Kina respekton “vullnetin dhe vendimin e popullit afgan”. Qeveria ruse tha se nuk shihte asnjë nxitim për të njohur Talibanët. Kremlini do të monitorojë veprimet e islamistëve dhe më pas do të marrë një vendim. Ambasadori rus në Kabul, Schirnoë, nesër do të takohet fillimisht me një përfaqësues të Talibanëve.
Fatlume Dervishi