Kaos në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës para fillimit të sezonit turistik
Kaos në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës para fillimit të sezonit turistik

Gazetar: Miki Trajkovski
Kaos në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës para fillimit të sezonit turistik Kaos në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës para fillimit të sezonit turistik. Në rreth tridhjetë objekte gastronomike deri tani janë konstatuar parregullsi dhe mosplotësim të disa kushteve për funksionim. Në Strugë bëhet fjalë për 16 nga gjithsej 17 objekte të kontrolluara. 8 prej tyre ndodhen në plazhet e qytetit, 6 objekte të tjera gastronomike janë në qytet dhe 1 hotel. U janë shqiptuar gjoba për parregullsi dhe janë dorëzuar kallëzime kundërvajtëse. Një objekti i është shqiptuar ndalim për të funksionuar për 10 ditë për shkak të mosrespektimit të orarit të punës. Këtë e kanë konstatuar inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, të cilët, së bashku me Ministrinë e Brendshme, po kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese këto ditë.
“Nga të gjitha kontrollet në plazhin e Strugës, gjithsej 9, janë konstatuar parregullsi në 8 prej tyre dhe janë lëshuar 16 urdhërpagesa. Janë kontrolluar edhe 2 kënde lojërash, ku janë konstatuar shkelje. Për njërën janë lëshuar 2 urdhërpagesa, ndërsa për tjetrën është lëshuar vendim me paralajmërim për mënjanimin e mangësive. Këndet e lojërave janë mbyllur nga DAP pas kontrolleve tona”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Në Ohër, situata është edhe më e keqe. Janë kryer gjithsej 56 kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në objekte gastronomike, përfshirë kabare dhe restorante. Nga 10 hotele të kontrolluara deri tani, nuk janë konstatuar parregullsi, por nga ana tjetër janë mbyllur pesë objekte të tjera gastronomike dhe janë konstatuar shumë parregullsi.
“Në objektet e tjera gastronomike janë konstatuar parregullsi dhe janë lëshuar 18 urdhërpagesa kundërvajtëse. Janë lëshuar 5 vendime për ndalesë të përkohshme të aktiviteteve. Në plazhin e Ohrit janë kryer 3 inspektime të jashtëzakonshme dhe janë lëshuar 4 urdhërpagesa”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Nga Shoqata Hotelierike bëjnë thirrje që çdo person te cilit i janë konstatua parregullsi, t’i korrigjojë ato, të vendosë aparate kundër zjarrit ose nëse i posedon, t’i kontrollojë.
„Duhet të kontrollohen të gjitha objektet, veçanërisht ato ilegale, sepse ato nuk janë nën kontrollin e shërbimeve inspektuese, askush nuk i kontrollon, por ato ekzistojnë dhe funksionojnë. Këto kontrolle duhet të kryhen vazhdimisht, nuk mund të jenë vetëm në momente të caktuara, kur dikush atë e kërkon nga ata”, deklaroi Kërste Blazheski – kryetar i HOTAM-it.
Blazheski nuk beson se ngjarjet e fundit do të kenë pasoja më të mëdha për turizmin në rajonin e Ohrit-Strugës. Në Strugë, për shkak të pasigurisë, javën e kaluar është mbyllur edhe salla e sportit në shkollën e mesme “Niko Nestor.” Kontrollat e forcuara vijnë pas ngjarjes tragjike në diskotekën në Koçan, ku humbën 61 persona. /Alsat.mk