Kaos në kompani, kërcënon të transferohet në Microsoft: Më shumë se 700 punonjës duan që Altman të kthehet në OpenAI
Në një kthesë tjetër të ngjarjeve që rrethojnë OpenAI, më shumë se 700 punonjës në kompani tani po kërcënojnë të largohen nëse Sam Altman nuk rikthehet si CEO.

Bota e inteligjencës artificiale gjeneruese është në trazira të plota pas largimit tronditës të Sam Altman dhe Greg Brockman nga OpenAI, krijuesi i ChatGPT.
Tani largimi i tyre ka hasur në reagimin e një numri të madh punonjësish të kompanisë “OpenAI”, të cilët kanë firmosur një letër të hapur ku theksohet synimi i punonjësve për të dhënë dorëheqjen nëse Altman dhe Brockman nuk kthehen në postet e tyre.

“Mënyra se si e pushuat Sam Altman dhe hoqët Greg Brockman nga bordi e rrezikoi të gjithë këtë gjë dhe minoi misionin tonë në kompani. Sjellja juaj ka treguar qartë se ju mungon autoriteti për të menaxhuar OpenAI”, thuhet në letrën drejtuar bordit të kompanisë.
Punonjësit e OpenAI që nënshkruan letrën e hapur konfirmuan se ata planifikojnë t’i bashkohen Altman dhe Brockman në Microsoft. Me sa duket, ka pozicione të hapura në gjigantin e softuerit për ata që duan të lëvizin atje nga OpenAI.

Sipas një postimi të një prej punonjësve të kompanisë, numri i përgjithshëm i nënshkruesve të letrës ka arritur në më shumë se 700 nga 778 punonjës të kompanisë, që është rreth 90 për qind.
Mbetet të shihet se si do të shkojë e gjithë situata me kompaninë OpenAI, por tani për tani nuk ka gjasa që Altman dhe Brockman të kthehen në kompani. Nëse ata e duan fare këtë, duke qenë se tashmë u janë ofruar pozicione në Microsoft.
