Kaosi me dokumente – VMRO kërkon përgjegjësi nga Spasovski dhe Kovaçevski

Kaosi me dokumente – VMRO kërkon përgjegjësi nga Spasovski dhe Kovaçevski

VMRO-DPMNE-ja kërkon përgjegjësi nga ish-ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski për, siç thonë kaosin me dokumentet personale, shkruan Alsat.

Sipas opozitës, Spasovski duhet të përgjigjet për punë të pakujdesshme në shërbim, sepse ka lejuar lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se ato do të bëhen të pavlefshme para afatit të caktuar në pasaporta.

Nga VMRO-DPMNE-ja i kanë bërë thirrje Prokurorisë, por edhe Avokatit të Popullit që të reagojnë.

“Presim që Prokuroria Publike dhe Avokati i Popullit të iniciojnë procedurë kundër Spasovskit dhe Kovaçevskit, si dhe Qeverisë në tërësi, e cila e çoi mbarë popullin në huti dhe shpenzime materiale. Të drejtat themelore të njeriut janë të shkelura dhe vetëm për shkak të qeverisjes në largim të LSDM-së dhe BDI-së, një numër i madh i qytetarëve nuk mund të lëvizin lirshëm jashtë Republikës së Maqedonisë”, tha Igor Janushev – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga Prokuroria dhe Avokati i Popullit për thirrjen e partisë opozitare. VMRO-DPMNE-ja akuzoi gjithashtu se Spasovski dhe Kovaçevski nuk i kanë siguruar me kohë as ekzemplarët për dokumentet. Në ndërkohë, kryetari i LSDM-së theksoi se në këtë situatë ka ndikuar edhe pandemia dhe shprehu keqardhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.

“Kemi pasur dy vite pandemi, e cila prishi kanalet e furnizimit, prishi një numër të madh të proceseve të prodhimit në fabrikat që prodhojnë dokumentacion, dhe sigurisht mundësia e lëshimit të shpejtë të dokumenteve, duke pasur parasysh se për dy vite kishim masa të demarkacionit fizik të qytetarëve”, u shpreh Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Kovaçevski indirekt theksoi se në këtë situatë kanë ndikuar, siç theksoi, edhe deklaratat populiste të disa prej politikanëve, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos i zëvendësojnë dokumentet, sepse ata do ta kthejnë emrin e vjetër kushtetues./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button