Karlos Alkaraz shënon dy fitore brenda 24 orëve në Uimbëlldon

Janë mbyllur në Londër ndeshjet e raundit të tretë të Grand Slam të Uimbëlldonit. Numri 1 në botë, spanjolli Karlos Alkaraz, mundi 3-1 kilianin Nari, sfida e dytë për të në 24 orë, për shkak të shiut. Në raundin e katërt shkon edhe rusi Daniil Medvedev, numri 3 në botë, që mundi 3-1 hungarezin Fuksovis.
Një biletë për më tej siguron edhe italiani Mateo Beretini që mundi tenistin gjerman Aleksander Zverev me 3-0. Më tej avancojnë edhe greku Stefanos Cicipas, danezi Holger Rune, çeku Jirzhi Lehecka dhe amerikani Kristofer Eubanks.
Te femrat, avancon në raundin e katërt numri 6 në botë, tenistja tuniziane Ons Zhabeur, që mundi 2-1 kanadezen Bianca Andreesku. Nuk zhgënjen as kazakja Erina Ribakina, numri 3, që mundi 2-0 anglezen Boulter. Fiton edhe numri 2 në botë, bjellorusja Arina Sabalenka, çekja Petra Kvitova, si dhe tenistja amerikane Medison Kejs.