Kasami akuzon Grubin dhe Kovaçevskin: Objekti i shkollës i jepet kadastrës

Kasami akuzon Grubin dhe Kovaçevskin: Objekti i shkollës i jepet kadastrës

Gazetar: Mefail Ismaili

Vendimin e Qeverisë të firmosur nga zv. kryeministri Artan Grubi që ish objektin e shkollës së medicinës në Tetovë t’ia lë për shfrytëzim të përhershëm Kadastrës, kreu i Tetovës Bilall Kasami e cilëson si hakmarrje politike pas humbjes së BDI-së dhe LSDM-së në zgjedhjet e fundit. Kasami thotë se me këtë vendim, me automatizëm i merren kompetencat komunës ndaj këtij objekti.

“Ky vendim është një tendencë dashakeqe e Grubit për t’i dëmtuar nxënësit tetovarë dhe për të krijuar probleme të panevojshme, në kohën kur arsimi në Tetovë ka nevojë për hapësira dhe modernizim. Qeveria LSDM-BDI, me këtë vendim i atakojnë nxënësit e Tetovës, duke u pamundësuar atyre që të kenë hapësirat e nevojshme për proces mësimor normal. Kjo është goditje edhe për trashëgiminë arsimore të Tetovës, kur dihet se kjo godinë me vite ka nxjerrë gjenerata të nxënësve edhe në kohët më të vështira dhe më të egra për Tetovën”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Kasami thotë do ta padisin Qeverinë për shkak se me këtë vendim ajo ka shkelur Ligjin për arsim fillore dhe të mesëm.

“Në Nenin 112, Paragrafi 2 i Ligjit për arsim të mesëm thuhet: Pronësia e objekteve shkollore dhe prona e shkollave të mesme nga paragrafi 1 i këtij neni me vendim të Qeverisë i merr komuna, edhe atë nga dita e konstituimit të këshillave të komunave dhe nga zgjedhja e kryetarëve të komunave. Ndërsa me vendimin e fundit qeveria Kovaçevski-Ahmeti, jo vetëm që ka shkelur Ligjin për arsim, por në të njëjtën kohë nuk njeh edhe vendimet e vetë qeverisë”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Lidhur me formimin e koalicionit për këshillin e Tetovës, Kasami tha se është i gatshëm të bisedojë me të gjithë këshilltarët, por kjo do të ndodh në shtator pasi të gjithë të përfundojnë pushimet./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button