Kashikara në zyrat e PCER-it në Tetovë, policia në kërkim të personit të dyshuar
Kashikara në zyrat e PCER-it në Tetovë, policia në kërkim të personit të dyshuar

Gazetar: Bashkim Sulejmani
Policia e Tetovës është vënë në kërkim të një personi të dyshuar për hedhjen e bombës së tipit kashikara tek zyrat e partisë PCER në Tetovë. Ngjarja ndodhi pas orës 4 të mëngjesit. Dyshimet e para janë se personi deri tani i panjohur fillimisht ka shqelmuar xhamin e derës dhe më pastaj ka hedhur edhe bombën, e cila për fat të mirë nuk ka shpërthyer.
Drejtuesi i Partisë për Emancipimin e Romëve (PCER) Samka Ibraimovski nuk dyshon në askënd, ndërsa bën thirrje që policia të kap sa më shpejtë kryerësin që të zbulohen edhe motivet.
“Kjo vërtetë shumë na befasoi shumë sidomos mua dhe bashkëqytetarët që vijnë këtu çdo mëngjes që vijnë në klub të bisedojmë për politikë e ligje në shtet. Kjo ishte shok për ne por shyqyr bomba kashikara nuk ka eksplodu. Ai që e ka hedh kishte guxim edhe të kthehet ta shef a ka plas bomba. Por sidoqoftë e lejmë në Policinë dhe MPB që ta bëjnë punën e tyre. Deri më tani shkon mirë dhe besoj se do gjendet shpejtë dorasi”, tha Samka Ibrahimovski, kryetar i PCER.
Nga SPB e Tetovës thonë se kanë marrë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po merren me rastin. Nga atje thonë se sipas pamjeve, shihet se si një person i moshës 25-26 vjeçare ka hedhur bombën
“Menjëherë pas denoncimit janë marrë masat dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një objekt hotelierik që përdoret herë pas here si klub nga një partitë politike. Është kryer kontrolli dhe është konstatuar se bëhet fjalë për një granatë dore F1 e cila është aktivizuar por nuk ka shpërthyer. Bomba është marrë nga Njësia e Antiterrorizmit. SPB Tetovë ndërmerr masat përkatëse për zbardhjen e plotë të rastit”, njoftojnë nga SPB-Tetovë.
Ndryshe në vendin ku është hedhur bomba, ka edhe banesa të banueshme, dujke bërë që policia të zgjerojë hetimin në disa pista. /Alsat.mk