Katër skenarë të mundshëm se si do të vazhdojë konflikti në Ukrainë

Pasi ushtria ukrainase bëri një sërë suksesesh në kundërofensiva në lindje dhe jug të vendit, shumë po pyesin se çfarë do të ndodhë më pas dhe çfarë mund të pritet nga Rusia në javët e ardhshme. Mediat ukrainase analizuan katër skenarë të mundshëm për zhvillime të mëtejshme në front.

Ndërsa ukrainasit po çlirojnë territore, Rusia ka ratifikuar zyrtarisht aneksimin e Khersonit, Zaporozhye, Donetsk dhe Luhansk në Federatën Ruse.

Edhe pse Kievi tha se për ta ky vendim nuk ndryshon asgjë, Rusia theksoi se do të përdorë të gjitha mjetet ushtarake dhe të tjera për të mbrojtur territoret e aneksuara.

Rusia do të lëshojë një ultimatum me kërcënimin e përdorimit të armëve bërthamore

Një skenar i përmendur shpesh është se Rusia do të kërkojë nga Ukraina një ndërprerje të armiqësive përgjatë gjithë vijës së frontit duke kërcënuar me një sulm bërthamor nëse ultimatumi refuzohet.

“Së pari, ata mund të kryejnë një sulm bërthamor demonstrues mbi Detin e Zi ose të përdorin armë bërthamore taktike në Ukrainën perëndimore, pas së cilës ata do të lëshojnë një ultimatum”, analizon gazeta Strana.

Lufta do të vazhdojë në të njëjtin format

Skenari i tretë është se Rusia nuk do të përdorë armë të shkatërrimit në masë dhe do të vazhdojë si më parë, me formatin e “operacioneve speciale ushtarake”.

 “Fakti që Rusia shpalli një mobilizim të pjesshëm jep argumente në favor të këtij skenari. Rimbushja e personelit të mobilizuar do t’i lejojë Rusisë të zgjidhë problemin themelor. Bazuar në këtë, ushtria ruse mund të konsiderojë se do të ndalojë ofensivën ukrainase”, thuhet në analizë.

Analistët ukrainas besojnë se lufta do të marrë karakterin e rraskapitjes në të cilën Moska do të bindë Kievin dhe Perëndimin për një armëpushim në kushte të pranueshme.

Rusia i shpall luftë Ukrainës dhe mobilizim të përgjithshëm

Skenari i tretë nuk përfshin përdorimin e armëve bërthamore dhe ndryshon nga ai i mëparshmi për nga numri i të mobilizuarve. Burimet e mobilizimit të Rusisë janë shumë më të mëdha se ato të Ukrainës, kështu që Moska mund të arrijë një avantazh të rëndësishëm në numër në front për të vazhduar aktivitetet sulmuese.

Megjithatë, shumë ende nuk e dinë nëse Rusia ka burimet për të armatosur dhe trajnuar një numër kaq të madh njerëzish në rast të një mobilizimi të përgjithshëm. Nga ana tjetër, nëse shpallet një mobilizim i përgjithshëm, pasojat sociale në Rusi mund të jenë shumë të rënda.

Lufta po hyn në një fazë të ngadaltë

Skenari i fundit në shqyrtim nënkupton që të dyja palët, pa një njoftim zyrtar të armëpushimit, de facto reduktojnë gradualisht aktivitetet në front dhe i afrohen nivelit që ishte në 2015 në Donbass. Kjo nënkupton një luftë të ngadaltë me acarime periodike. Sipas analizës, Perëndimi mund t’ia rekomandojë këtë opsion edhe Ukrainës. 

“Ata do ta bënin këtë me pretekstin për ta detyruar Putinin në një ngërç. Rusia do ta shfrytëzonte këtë mundësi për të marrë frymë dhe për të riorganizuar ushtrinë”, thotë Strana.

Megjithatë, deri më tani nuk kishte sinjale se palët dëshironin një marrëveshje, dhe këtë e vërtetoi vendimi i nënshkruar nga Zelensky, ku thuhet se negociatat me Rusinë, derisa Putini është në krye të saj, janë të pamundura.

LEXO EDHE:

Back to top button