KE njoftoi arritjen e një marrëveshje prej 2.3 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës
KE njoftoi arritjen e një marrëveshje prej 2.3 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës

Komisioni Evropian njoftoi arritjen e një marrëveshje prej 2.3 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës për ta ndihmuar atë të rindërtohet pas dëmeve të shkaktuara nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë. Presidentja e KE-së Der Lejen në një konferencë në Romë mbi planet për rindërtimin e Ukrainës tha se 2.3 miliardë eurot janë pjesë e Kornizës së Investimeve, e cila pritet të mobilizojë deri në 10 miliardë euro investime. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, njoftoi planin për një angazhim prej 10 miliard eurosh për Ukrainën.
Planin e rimëkëmbjes e mbështeti edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski
“Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ajo që ndodh në Ukrainë ndikon te secili prej nesh. Mendoj se kjo është arsyeja pse duhet të jemi krenarë për rezultatin që po arrijmë të gjithë së bashku sot: kombet, organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, autoritetet lokale, sektori i biznesit, shoqëria civile. Së bashku kemi marrë angazhime me konferencën e sotme për më shumë se 10 miliardë euro”, tha Xhorxhia Meloni, Kryeministre e Italisë.
“Ne duhet të biem dakord qartë që asetet e ngrira ruse duhet të shkojnë për rimëkëmbjen e Ukrainës. Jo vetëm të ardhurat nga këto asete, por edhe vetë asetet duhet të përdoren, dhe shumë më aktivisht sesa përdoren tani, për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve. Ne gjithashtu kemi nevojë për një sistem të qartë për rindërtim, një fond të posaçëm rimëkëmbjeje dhe financim në nivele të ndryshme, për buxhetin kombëtar të Ukrainës dhe për komunitetet lokale”, u shpreh Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës. /Alsat.mk