Kejn afër titullit kampion: Do t’iu mbyll gojën atyre që thonë se nuk fitoj kurrë

Hari Kejn ka sot rastin për të siguruar titullin e parë kampion në karrierë. Në fakt, do të ishte titulli i 34-t kampion për Bajern Munih në histori, por i pari për bomberin anglez, i “malkuar” në këtë drejtim deri tani.
Bavarezët ndodhen +8 pikë përpara Bajer Leverkuzenit, me vetëm 4 javë të mbetura. Skuadra e Kompani do të përballet me Maincin, ndërsa ajo e Çabi Alonsos me Augsburg.
Në rast fitoreje të titullit, ky do të ishte trofeu i parë në karrierë për Hari Kejnin, duke i dhënë fund njëherë e mirë etiketës së bezdisshme të “humbësit”, që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës.
“Do të ishte fantastike! Ndoshta do t’i ndalonte disa nga ata që flasin për faktin se nuk kam fituar ende një titull, – tha vetë sulmuesi anglez në një intervistë për “Absolut Fußball”.

“Nëse ia dalim, do të ketë festë të madhe. Megjithatë, më pas vëmendja do të përqendrohet tek objektivi tjetër. Në futboll gjithmonë ka diçka më shumë për të arritur. Për momentin, fokusi ynë është vetëm te kampionati,” theksoi sulmuesi anglez.
Kejn foli gjithashtu për zhgënjimin e eliminimit nga Liga e Kampionëve, në çerekfinale kundër Interit.
“Një eliminim i tillë lë gjithmonë shije të hidhur. Edhe pse dhamë maksimumin, nuk arritëm të shkonim në finalen që do të luhej në stadiumin tonë. E di që tifozët do të na mbështesin gjithmonë, jam i bindur që do të rikthehemi edhe më të fortë në Ligën e Kampionëve,” tha në fund Kejn.