“Kemi fituar kundër CR7 dhe Messi, ia dalim edhe kundër Mbapes”

Trajneri Diego Simeone përgatitet të nisë sezonin e radhës me Atletico Madrid teksa është në krye të “Los Colchoneros” prej vitit 2011. Tekniku madrilen nuk trembet nga konkurrenca në LaLiga, edhe nëse një si Kylian Mbappe i bashkohet Real Madridit. Në një intervistë për “AS”, argjentinasi shprehet se Atletico e tij ia ka dalë të fitojë kampionat edhe kundër Realit të Kristiano Ronaldos apo Barcelonës së Lionel Mesit. Të njëjtin sukses mund ta përsërisë edhe në kohën e Kilian Mbapes, pasi sipas Simeones, futbolli nuk ka të bëjë me emrat, por me skuadrën. Ndër të tjera, Simeone theksoi se është një “fans” i Barcelonës së Çavi Hernandez.

 

“A do të më pëlqente Mbappe te Reali? Sigurisht, për ne nuk ka asnjë problem. Sa më shumë lojtarë të fortë të transferohen në LaLiga, aq më mirë është për kampionatin. Kështu të gjithë mund të përmirësohen, Reali nuk ka probleme financiare dhe mund t’ia lejoj vetes një shpenzim të tillë. Nëse nuk ndodh këtë vit, atëherë e sigurt se sezonin e ardhshëm Mbappe do të jetë në Spanjë dhe do të konkurrojmë kundër tij.

Për ne nuk është problem, kemi fituar kampionat në kohën kur aktivizoheshin lojtarë si Messi, Ronaldo, Iniesta, Çavi, Benzema, Buskets, Bejll… Futbolli nuk është një lojë emrash, por është një lojë skuadre.

 

 

Reali apo Barcelona? Më pëlqen Barcelona e Çavit. Nuk ishte e lehtë në fillim, por i ka dhënë skuadrës një identitet. Të fitosh nuk është e lehtë, duhen gjithmonë lojtarë me karakteristika të veçanta. Jo më kot morën Levandovskin, ashtu si Siti mori Haaland dhe Reali tashmë që kërkon Mbapen. Reali punon mirë me transferimet, i ka të goditura mund të përmend Vinicius, Valverde apo Rodrigo. Të rinj me shumë cilësi. Tashmë, morën Bellingamin dhe kërkojnë Mbappe”.

 

Ndërkohë, i pyetur se cili është më i mirë mes Haaland dhe Mbappe, Simeone shprehet se norvegjezi është perfeksioni i atij që konsiderohet si “numri 9”.

 

“Haaland dhe Mbappe janë të ndryshëm, nuk ia vlen t’i krahasosh. Haaland është një “kafshë” goli, është perfeksioni i numrit 9. Një nga ata sulmues që sheh vetëm nga porta kundërshtare. Duhej të mbërrinte Haaland që Siti të fitonte Ligën e Kampionëve, sepse ndonjëherë të luash mirë nuk mjafton”, përfundoi Simeone.

LEXO EDHE:

Back to top button