Keni presion të lartë të gjakut apo ndoshta thjesht po e matni gabim?

Nëse e mbani krahun në pozicionin e gabuar gjatë marrjes së presionit të gjakut, mund të diagnostikoheni me presion të lartë të gjakut, tregojnë studimet.

Shkencëtarët kanë zbuluar se pozicioni i duarve bën një “ndryshim të madh” në marrjen e rezultateve të sakta.

Studiuesit në Shtetet e Bashkuara zbuluan se kur krahu është i pezulluar ose i pambështetur, presioni sistolik (numri më i lartë në leximin e presionit të gjakut) mbivlerësohet me 6.5 mmHg dhe presioni diastolik (numri i poshtëm) me 4.4 mmHg, shkruan The Telegraph.

Me vendosjen e dorës në prehër, presioni sistolik tregon një vlerë më të lartë me 3.9 mmHg dhe presioni diastolik i gjakut me 4 mmHg.

NHS këshillon se mënyra e duhur për të matur veten është të uleni në një karrige të drejtë me një mbështetëse, t’i vendosni të dyja këmbët të sheshta në dysheme dhe të mbështetni krahun në tavolinë. Pacientët gjithashtu këshillohen të pushojnë për pesë minuta para matjes.

Presioni i lartë i gjakut rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru, si dhe sëmundje të tilla si demenca vaskulare, por për shkak se nuk ka simptoma, është e pamundur të zbulohet pa analiza.

NHS këshillon që presioni normal i gjakut është midis 90/60 mmHg dhe 120/80 mmHg.

Presioni i ngritur i gjakut konsiderohet 135/85 ose më i lartë nëse matja bëhet në shtëpi, ose 140/90 mmHg ose më e lartë nëse matja bëhet në një farmaci, mjek të përgjithshëm ose klinikë.

LEXO EDHE:

Back to top button