Keqpërdorimet gjatë furnizimeve të mazutit toksik/ MPB: Janë arrestuar 11 persona
Keqpërdorimet gjatë furnizimeve të mazutit toksik/ MPB: Janë arrestuar 11 persona

Gazetar: Suad Bajrami
11 persona të arrestuar, njëri është në paraburgim dhe njëri në arrati. Ky është epilogu i aksionit policor të koordinuar me Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në lidhje me furnizimet e mazutit toksik për TEC Negotinë me të cilin është ndotur ambienti jetësor dhe si pasojë është rrezikuar shëndeti i qytetarëve. Zyrtarët policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, Manastir dhe Kërçovë, për të siguruar prova në lidhje me veprat penale që u ngarkohen të dyshuarve, e të cilat janë shpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash.
“Nga bastisjet e deritanishme deri më tani janë gjetur dhe janë konfiskuar dokumentacione, pesë telefona celularë, rreth 1.500 municione nga kalibra të ndryshme, dy pistoleta dhe tre automjete”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
PADI PENALE PËR 13 PERSONA PËR FURNIZIMIN E DERIVATEVE:
Asmir Jahoski (40) – Pllasnicë
Ratko Kapushevski (38) – Shkup
Vasko Kovaçevski (55) – Manastir
Erxhan Sullkoski (43) – Kërçovë
Ardijan Muça (44) – Shkup
Ruzhdi Ramadani (48) – Zhelinë
Nikolla Stojanovski (61) – Mavrovë dhe Rostushë
Danço Stojanovski (43) – Veles
Emill Pecakov (52) – Shkup
Marija Neshkovska (60) – Shkup
Bllagica Markoviq (51) – Shkup
Dushica Seizovska Jovanoviq (43) – Kumanovë
Dobrilla Stefanovska (66) – Shkup
Drejtori i RKM Ratko Kapushevski, i cili njihet në opinion si person i afërt i Nikolla Gruevskit është në ndër emrat më të njohur, ndërkaq bashkë me të është i përfshirë edhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski apo pronari i Pucko Petroll, Asmir Jahoski.
Në listën e padive të policisë ndodhet edhe emri i ish drejtori të EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili prej kohësh ndodhet në arrati për shkak rastit tjetër ku ndiqet penalisht, të njohur si “Aditivët”.
Më tej, padi penale është dorëzuar edhe kundër ish drejtorit të EMV-së apo funksionarit të BDI-së Ardijan Muça, por edhe kundër Erxhan Sullkoskit, biznesmeni të njohur në opinion si partner biznesi i dhëndrit të kreut të BDI-së Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj.
Krahas tyre, përmenden edhe persona të tjerë si Ruzhdi Ramadani, Nikolla Stojanovski, Danço Stojanovski, Emil Pecakov, Marija Neshkovska, Bllagica Markoviq, Dushica Seizovska Jovanoviq dhe Dobrilla Stefanovska./ Alsat.mk