“Keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore”, Kovaçevski dhe Dimovski nuk u përfshinë në lëndën e Prokurorisë
“Keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore”, Kovaçevski dhe Dimovski nuk u përfshinë në lëndën e Prokurorisë

Gazetar: Zekirja Haxhiu
Ndonëse Ministria e Punëve të Brendshme deri te Prokuroria Publike ka dorëzuar kallëzim penal për gjithsej tetë persona në rastin e keqpërdorimeve në “Lotarinë Shtetërore”, Prokuroria ka hapur lëndë vetëm për gjashtë prej tyre. Lënda nuk i ka përfshirë ish kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski, edhe pse që të dy u përmendën nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Për Kovaçevskin dhe Dimovskin, Prokuroria nuk ka gjetur ende dëshmi se janë të përfshirë në keqpërdorimet e lotarisë. Megjithatë hetimet vazhdojnë.
“Prokuroria Publike ka njoftuar se kallëzimi penal për personat e përmendur nuk është hedhur poshtë. Në rastin konkret deri në këtë moment janë mbledhur dëshmi të cilat çojnë në dyshime të bazuara se gjashtë personat e përmendur, kanë ndërmarrë veprime me të cilat përmbushin karakteristikat e veprave penale për të cilat është ngritur kallëzimi. Për të dhënat e tjera nga kallëzimi, kontrollet vazhdojnë. Dy personat që i përmendët, janë denoncuar për periudhë tjetër dhe për veprime të tjera. Seancën e datës 06.06.2023 kur pikë në rend dite ka qenë vendimi i përmendur, ka kryesuar tanimë i dyshuari”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Në të kaluarën, opinioni ka qenë dëshmitarë se shpesh në raste të prokurimeve të dyshimta publike, me përgjegjësi gjithmonë janë përballur sekretarët e përgjithshëm të Qeverisë. Kështu fillimisht ndodhi me Martin Protugjer, i cili në rastin “Titanik” u dënua me dy vite burgim me kusht për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës zgjedhore, ryshfet dhe shkatërrim të materialit zgjedhor.
Nën llupën e Prokurorisë u gjend edhe ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski. Ai së bashku me gjashtë persona të tjerë dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash. Keqpërdorimi i detyrës kishte të bëjë me zbatimin e katër procedurave për furnizim publik për sistem për identifikim biometrik, softuer për matjen e shpejtësisë së automjeteve në trafik, shqiptimin e gjibave, blerjen e kamerave për njohjen e targave të regjistrimit dhe kabinave të metalit për nevojat e sistemit për identifikim biometrik dhe sistemit për njohje automatike të targave.
Prokuroria gjithashtu në vitin 2022 hapi hetim edhe për Muhamed Zekirin i cili po ashtu ishte sekretar i përgjithshëm i Qeverisë. Zekiri akuzohej se ka lidhur dy marrëveshje pa asnjë furnizim publik të hapur. E para ka të bëjë për shërbime konsultative me qëllim privatizimin e Postave të Maqedonisë, ndërsa e dyta për privatizim të Hekurudhave të Maqedonisë. Shuma e përgjithshme me të cilin Zekiri ka dëmtuar buxhetin, shënonte afro 90 milion denarë. Gjykimi për këto keqpërdorime, së fundmi u kthye që nga fillimi.
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka për detyrë të sigurojë funksionim ligjor dhe efikas të sekretariatit dhe të miratojë udhëzime profesionale dhe akte me të cilat rregullohen organizimi dhe mënyra e punës. Në përputhje me ligjin, vendosë për të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e të punësuarve në sekretariatin e përgjithshëm. Ka për detyrë të bashkëpunojë me kryeministrin dhe ministrat e tjerë, veçanërisht për prioritetet strategjike dhe analizën e politikave. Ka për detyrë të organizojë seancat e qeverisë dhe trupave punues, por edhe të përgatitë programin vjetor për punë të Qeverisë. /Alsat.mk