Kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës ishte i rrejshëm, thotë prokurori

Kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës ishte i rrejshëm, thotë prokurori

Një kërcënim me bombë të shtunën në Kuvendin e Kosovës – që detyroi evakuimin e deputetëve dhe shtyrjen e seancës konstituive për në mbrëmje – ka qenë i rrejshëm, njoftoi prokurori që e hetoi rastin.

Duke folur për gazetarë pranë ndërtesës së Kuvendit, prokurori Zejnullah Gashi tha se kërcënimi erdhi nga një burrë përmes telefonit dhe se një hetim kibernetik për ketë është duke u zhvilluar.

“Kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket për rezultatet në vendin e ngjarjes”, tha ai.

Zejnullahu shtoi se kërcënimi u bë nga një “person anonim, me zë mashkulli në gjuhën angleze dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor”.

Më herët, Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se sot në orët e paradites kishte pranuar informatë “për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së”.

Pas marrjes së kërcënimit, autoritetet e sigurisë i larguan shpejt deputetët, mediat dhe të gjithë të pranishmit nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit, kur ata po bëheshin gati ta mbanin vazhdimin e radhës të seancës konstituive.

Në vendngjarje dolën prokuroria dhe hetuesit policorë, të cilët, së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, kryen kontrolle.

Më herët, Arben Loshi, zëvendës i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, tha se policia kërkoi evakuimin e të gjithëve nga ndërtesa dhe oborri i Kuvendit, sepse “një person ka bërë një telefonatë në gjuhën anglez duke kërcënuar se një bombë e vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit do të shpërthejë brenda 10 minutave”.

Ai tha se, pas alarmit për bombë, seanca që duhej të fillonte në orën 11:00, do të mbahet sonte në orën 20:00.

LEXO EDHE:

Back to top button