Kërcënimi për bombë në Kuvendin e Kosovës, Policia del me njoftim zyrtar

Kërcënimi për bombë në Kuvendin e Kosovës, Policia del me njoftim zyrtar

Autoritetet e sigurisë i kanë larguar të gjithë deputetët, mediat dhe të pranishmit e tjerë nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës paradite, në prag të vazhdimit të radhës të seancës konstituive, pas një kërcënimi me bombë.

Skuadra anti-bombë e policisë ka kryer kontrollet brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është pranuar një informatë me mesazh për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të Republikës së Kosovës. Arben Loshi, zëvendës i sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit tha se pas kontrolleve të detajuara kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka vendosur që mbledhja të mbahet në orën 20:00 .

“Seanca konstituive e përcaktuar sot për në ora 11:00 pas alarmit për bombë i vazhdon punimet sot në ora 20:00 sipas njoftimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari…Policia, njësitet e veçanta antibombë është duke i bërë veprimet e saj policore. Ne mbetemi që të qëndrojmë jashtë ndërtesës së kuvendit, së paku 50 metra largësi sipas rekomandimeve kryesore. Njoftimin neve si administratë na ka dhënë polica për t’i liruar hapësirat”, tha Arben Loshi, Zv.sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit.
LDK e cilësoi si serioze kërcënimin me bombë në Kuvendin e Kosovës.

“Krejt çka na është thënë dhe urdhëruar është që ta lirojmë sa më shpejtë objektin e kuvendit. Nuk kemi shumë informacione…Nuk është ndjenjë e mirë, është serioze. E marrim seriozisht. Edhe pse ka dyshime që mund të jetë kërcënim i rrejshëm”, u shpreh Alban Zogaj, Deputet i LDK-së.

Deputetët u mblodhën sot për ta vazhduar seancën konstituive të Kuvendit, në përpjekjen e tyre të 42-të për ta bërë Kuvendin që nga 15 prilli. Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit po shkon drejt fundit. Seanca e thirrur për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit po dështon, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Prej kohësh, partitë më të mëdha kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button