Kërkesa e yllit të Barçës për Laporta-n: Mos merr Halandin ose Gijokeresin

Sipas “El Nacional”, sulmuesi i Barcelona-s, Robert Levandovski i ka thënë presidentit Zhoan Laporta që të mos bëjë lëvizje për Erling Haaland ose Viktor Gijokeres. Polaku i ka konfirmuar Laporta-s angazhimin e tij ndaj objektivave të ekipit, duke pohuar gatishmërinë dhe aftësinë e tij për të luajtur në nivelin më të lartë edhe në vitet e ardhshme.
Levandovski është kthyer të shkëlqejë nën drejtimin e Hansi Flik, teksa kryeson listën e golashënuesve në La Liga këtë sezon (14). Ai ka shënuar 19 gola dhe ka dhënë dy asiste në 17 paraqitje në të gjitha garat. Pavarësisht formës mbresëlënëse të Levandovski-t, Bordi i Barcelona-s po konsideron të forcojë sulmin e ekipit dhe thuhet se ka identifikuar Haalandin e Manchester Sitit dhe Gijokeres të Sportingut.
Të dy lojtarët po shkëlqejnë në klubet e tyre përkatëse për momentin. Haaland është golashënuesi më i mirë në Premier Ligë këtë sezon (12), ndërsa Gijokeres kryeson garën për “Këpucën e Artë” me 16 gola.