Këshilli Drejtues më 22 dhjetor zgjedh presidentin e ri të FFM-së
Këshilli Drejtues më 22 dhjetor zgjedh presidentin e ri të FFM-së
Federata e Futbollit të Maqedonisë do të ketë kryetar të ri, pasi Këshilli Drejtues në seancën e jashtëzakonshme pranoi dorëheqjen e Muamed Sejdinit.
Në seancën e ditës së diel, menjëherë pas ndeshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Ishujve Faroe, Këshilli Drejtues bëri atë që pritej, pranoi dorëheqjen e Sejdinit, mandati i të cilit natyrisht skadon në muajin mars.
Gjithashtu, Kuvendi Zgjedhor është caktuar për 22 dhjetor, kur pritet të votohet edhe për presidentin e ri të Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Deri në asamblenë zgjedhore në dhjetor, Sejdini do të qëndrojë në postin presidencial dhe do ta përfundojë atë që ka nisur. Në rrjetet sociale, Sejdini konfirmoi dorëheqjen.
“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.
Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n.
E lë këtë pozicion me krenari dhe falënderim të madh për të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv (Këshillin Drejtues) dhe çdo dashamirës të futbollit.
Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im.
Me besim të plotë në të ardhmen e Federatës dhe të futbollit tonë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite, ka shkruar Sejdini.
Muamed Sejdini u ul në karrigen presidenciale në FFM në vitin 2018, pas largimit të Ilço Gjorgjievskit. Më parë, ai ishte nënkryetar për katër vjet. Gjatë “sundimit” të tij, Maqedonia luajti për herë të parë në një garë të madhe, në Kampionatin Evropian, por edhe një balotazh për Botërorin në Katar.