Këshilli Gjyqësor ende nuk ka vendim për emërimet në Akademinë e Gjyqtarëve
Këshilli Gjyqësor ende nuk ka vendim për emërimet në Akademinë e Gjyqtarëve

Gazetar: Mihajllo Donev
Diskutuam dhe patëm konsultime në këshill që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të jenë pjesë e Këshillit Drejtues të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, por vendimi duhet të jetë kolektiv, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, për Alsat, pasi Komisioni Kundër Korrupsionit konstatoi se emërimet e dy anëtarëve ishin të paligjshme. Kambovski konfirmoi se Hanif Zendeli tashmë e ka tërhequr nominimin e tij si anëtar i këshillit drejtues, ndërsa Antoaneta Dimovska ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Ne punojmë sipas ligjeve, të gjithë, dhe antikorrupsioni besoj se funksionon sipas ligjeve dhe Këshilli Gjyqësor, natyrisht. E gjithë situata do të shqyrtohet dhe këshilli do të dalë me qëndrimin e vet. Nuk do të doja të thoja qëndrimin tim personal, sepse unë jam ende përfaqësues i një organi kolektiv dhe do të ishte mirë që së pari të gjithë kolegët të ndërtonin një qëndrim të përbashkët për këtë çështje”, tha Aleksandar Kambovski .
Zendeli dhe Dimovska u propozuan në tetor të vitit të kaluar si pjesë e këshillit drejtues të Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, por menjëherë pasi ky vendim u bë publik, zyrtarët e antikorrupsionit identifikuan konflikt interesi dhe kërkuan që emërimet të tërhiqeshin. Megjithatë, këshilli gjyqësor në seancën e parë vendosi se nuk ishte dakord me vendimin e antikorrupsionit. Ky i fundit dërgoi përsëri një ankesë që këshilli duhet të respektojë vendimet e tyre. Pas kësaj, Hanif Zendeli vendosi të tërheqë nominimin, ndërsa për Antoaneta Dimovën mbetet e pasigurt se çfarë do të ndodhë. Përveç anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, dy anëtarë të Këshillit të Prokurorëve Publikë ishin gjithashtu pretendentë për hyrje në Këshillin Drejtues të Akademisë, për të cilët antikorrupsioni konstatoi gjithashtu konflikt interesi dhe kërkoi të hiqnin dorë nga ky synim. Këshilli i Prokurorëve Publikë gjithashtu fillimisht reagoi se nuk pajtohen me vendimin e zyrtarëve të antikorrupsionit, dhe deri më sot nuk përgjigjen nëse do të tërhiqen nominimet e dy anëtarëve./Alsat.mk