Këshilli i Prokurorëve nuk ka shkarkuar asnjë prokuror për mos kryerjen e detyrës

Pastrimi i gjyqësorit, i paralajmëruar si Veting, për momentin po i anashkalon prokurorët. Pasi këtë proces me pompozitet e paralajmëroi Ministri i Drejtësisë, Këshilli i Prokurorëve nuk ka shkarkuar asnjë prokuror për kryerjen jo si duhet të punës. Kryetari Këshillit të prokurorëve, Aco Kolevski për Alsat tha se ata janë institucion që vepron në shkallën e dytë për ankesa dhe se rol kryesor luan komisioni i shkallës së parë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore brenda prokurorisë.
https://www.youtube.com/watch?v=68K0mmUl9Bg&feature=youtu.be
Për momentin, para Këshillit të prokurorëve ka procedurë disiplinore kundër tre prokurorëve. Ne mbajtëm seancë dhe jemi në pritje, gjegjësisht duhet ta marrim vendimin përfundimtar në lidhje me vendimin e marrë nga komisioni i shkallës së parë- deklaroi Aco Kolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve.
Bëhet fjalë për tre prokurorë që nuk vepruan kur ndodhi 27 Prilli i përgjakshëm në vitin 2017. Ata tashmë ishin gjobitur. Kolevski vlerëson se përveç përpjekjeve politike për pastrimin e gjyqësorit, prokuroria ka një problem tjetër, mungesën e prokurorëve.
Sipas sistematizimit, në prokuroritë publike në Maqedoni duhet të kryejnë funksionin gjithsej 244 prokurorë, ndërsa për momentin këtë funksion e kryejnë 186 prokurorë, që do të thotë se mungojnë 58 prokurorë. Kjo shifër është serioze- deklaroi Aco Kolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve
Për dallim nga Këshilli i Prokurorëve, Këshilli Gjyqësor në periudhën e kaluar tashmë shkarkoi disa gjykatës. Në listën e të shakrkuarve janë Jovo Vangellovski dhe Lidija Nedellkova, ish-kryetarë të Gjykatës supreme, pastaj Vlladmir Pançevski, ish-kryetar i Gjykatës Penale, si dhe gjykatësja Tatjana Mihajllova, e cila erdhi në vend të Pançevskit. Mes të shkarkuarve është edhe gjykatësja Sofija Laliçiq, e cila ishte pjesë e bombave.
Bojan Stojanovski