Këtë fundjavë Bullgaria do të votojë për të pestën herë në dy vjet në zgjedhje parlamentare

Këtë fundjavë Bullgaria do të votojë për të pestën herë në dy vjet në zgjedhje parlamentare

Gazetar: Lluka Andreev
Bullgarët të dielën do të votojnë në zgjedhjet parlamentare për të pestën herë brenda dy viteve. Sondazhet e fundit tregojnë një dallim shumë të ngushtë, më pak se një për qind, mes partive pro-evropiane “Vazhdojmë me ndryshimin” të Kiril Petkovit dhe GERB-it të Bojko Borisovit. Korrespondentja e BTA nga Shkupi, Marinela Veliçkova, thotë për Alsat se këtë herë ka një vullnet të fortë mes dy partive kryesore për formimin e një qeverie të rregullt politike. Së fundmi u ngrit çështja e një koalicioni të mundshëm midis rivalëve të zemëruar, pasi Borisov njoftoi se do të hiqte dorë nga dëshira për t’u ulur në karrigen e kryeministrit.

“Është një nga kushtet e partive “Vazhdojmë me ndryshimin” dhe “Bullgaria Demokratike” që Borisov të mos jetë pjesë e një qeverie të mundshme të përbashkët. Do të shohim nëse kjo do të ndodhë. A do të shkohet drejt një qeverie të pakicës, në varësi të asaj nëse PP dhe DB do të kenë më shumë vota, të mbështetura nga GERB publikisht apo jo, apo do të shkohet drejt një koalicioni të përbashkët. Kjo mbetet për t’u parë dhe varet nga matematika e thjeshtë në Parlament”, tha Marinela Veliçkova – gazetare e BTA.

Sipas Veliçkovës, të gjitha llogaritjet varen nga dalja, e cila do të përcaktojë se sa parti do të hyjnë në Kuvend dhe do ta kalojnë pragun elektoral prej katër për qind. Ajo thotë se fushata parazgjedhore është sensibilizuar, por bullgarët janë ende të lodhur nga votimi. Një nga temat kryesore është Ukraina.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë luan një rol të madh dhe një pjesë e madhe e fushatës parazgjedhore është e lidhur me atë që po ndodh në Ukrainë dhe me qëndrimin bullgar për këtë çështje. Një pjesë e madhe e energjisë në fushatën parazgjedhore i referohet edhe situatës ekonomike”, shtoi ajo.

Të dhënat e fundit të agjencisë Gallup tregojnë avantazhin e koalicionit të Petkovit me 26.9%, e ndjekur nga partia GERB e Borisovit me 26.5%. Vendin e tretë e ndajnë partia DPS, si dhe partia pro-ruse “Rilindja” e Kostadin Kostadinov me mbështetje prej 13 për qind. Sondazhet tregojnë se në Kuvend sigurt do futet edhe Partia Socialiste Bullgare, e cila kundërshtoi fort ndihmën ushtarake për Ukrainën./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button