KF Arsimi prezanton 3 përforcime në 3 repartet e ekipit

KF Arsimi ka zyrtarizuar tre përforcime të rëndësishme në repartet kyçe të ekipit, duke treguar qartë ambiciet për një paraqitje dinjitoze mes më të mirëve.

Transferimi më i fundit që ka zbarkuar në Çegran është Amer Drjleviç, mbrojtës qendror me përvojë nga ekipi i Ligës së Parë të Bosnjës, Igman Konjiç. 26-vjeçari boshnjak pritet të jetë një shtyllë në prapavijën e verdhezinjve. Me eksperiencën që ka grumbulluar në elitën e futbollit boshnjak, Drjleviç vjen si një element i gatshëm për të sjellë qetësi, organizim dhe siguri në mbrojtjen e Arsimit në sezonin e sfidave të mëdha.

Në mesfushë, skuadra ka bërë një tjetër goditje të qëlluar me afrimin e Gabriel Yapy Tenlep, mesfushor defensiv nga Kameruni, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Voska Sport. 23-vjeçari spikati me paraqitje të qëndrueshme në mesin e fushës dhe u kthye shpejt në objektiv të shumë klubeve, por ishte Arsimi ai që siguroi shërbimet e tij.

Në repartin ofensiv, Mirnel Huriç është emri i tretë që i bashkohet projektit verdhezi. Sulmuesi i krahut ishte pranë transferimit te FC Shkupi gjatë merkatos dimërore, por marrëveshja nuk u finalizua për shkak të problemeve të brendshme të klubit nga kryeqyteti. Hurić u rikthye te Jedinstvo, ku shkëlqeu me performancat e tij dhe tregoi potencialin e padiskutueshëm. Tani, me fanellën e Arsimit, ai synon të jetë një nga armët kryesore në sulmin e ekipit debutues.

LEXO EDHE:

Back to top button