Khabane Lame bëhet përdoruesi i dytë në TikTok me mbi 100 milionë abonentë

Senegalezi 21-vjeçar Khabane Lame u bë përdoruesi i dytë i aplikacionit për ndarjen e videove TikTok që tejkaloi 100 milionë abonentë.
Lame, i cili jeton në Chivasso të Italisë dhe hapi një llogari në TikTok në mars të vitit 2020, arriti në 108,8 milionë ndjekës brenda 17 muajve.
Lame, i cili lindi në Senegal dhe emigroi në Itali me familjen e tij në moshën 1 vjeç, gjithashtu ka fituar epitetin si prodhuesi i përmbajtjeve në TikTok me numrin më të shpejtë të arritur të ndjekësve dhe personi më i ndjekur në Evropë.
Në një intervistë për TikTok, Lame tha se ishte pushuar nga puna në fabrikën ku punonte për shkak të COVID-19 më 15 mars 2020 dhe se kjo ishte koha kur ai nisi aventurën në TikTok.
Ai tha se kishte vendosur të xhironte video në TikTok në dhomën e tij kur ishte i papunë, duke theksuar se që nga fëmijëria, i pëlqen t’i bëjë njerëzit të qeshin.
I njohur gjithashtu si “komiku i heshtur”, Lame prodhon skeçe tallëse me videot e TikTok-ut që tregojnë gjërat e thjeshta duke u bërë në mënyra të ndërlikuara.
Lame përdor vetëm gjeste dhe shprehje të fytyrës në videot e tij dhe nuk flet fare.
Charli d’Amelio aktualisht ka me së shumti ndjekës në TikTok, me 123,6 milionë abonentë dhe një total prej 9,8 miliardë pëlqimesh.
Me gjithsej 1,6 miliard pëlqime, vlerësohet se Lame së shpejti do të tejkalojë d’Amelio-n dhe do të bëhet prodhuesi i përmbajtjeve me më shumë ndjekës në TikTok.