Kim Jong Un me kërcënime të reja ndaj SHBA-ve dhe Koresë së Jugut
Kim Jong Un me kërcënime të reja ndaj SHBA-ve dhe Koresë së Jugut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un tha se ushtria e tij duhet “të shkatërrojë plotësisht” Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut nëse provokohet, sipas njoftimeve të medias shtetërore të Phenianit të hënën, pasi ai u zotua të përforconte mbrojtjen kombëtare për t’u përballur me, siç tha ai, konfrontimin e pashembullt amerikan.
Në një takim pesë ditor të partisë javën e kaluar, Kim Jong Un tha se do të lëshojë edhe tre satelitë ushtarakë spiunazhi, do të prodhojë edhe më shumë material bërthamorë dhe do të prodhojë dronë sulmues këtë vit. Vëzhguesit thonë se këto paralajmërime janë përpjekje për të rritur peshën e tij në raport me Shtetet e Bashkuara dhe angazhimet diplomatike në të ardhmen.
Gjatë takimit të së dielës me zyrtarët e lartë ushtarak, udhëheqësi koreanoverior tha se me urgjencë duhet të mprehët “shpata e çmuar” për të ruajtur sigurinë kombëtare, duke iu referuar programit të vendit të tij për prodhimin e armëve bërthamore. Ai përmendi “lëvizjet konfrontuese të Shteteve të Bashkuara dhe forcave tjera ushtarake armiqësore”, sipas agjencisë zyrtare koreanoveriore të lajmeve KCNA.
Kim Jong Un theksoi se “ushtria jonë duhet t’u japë një goditje vdekjeprurëse dhe t’i shkatërrojë plotësisht ata, duke përdorur mjetet më të forta pa asnjë hamendje”, nëse ata zgjedhin konfrontimin ushtarake dhe provokimet ndaj Koresë së Veriut, sipas KCNA-s./VOA